Kush janë konsujt e tjerë të shkarkuar nga Vjosa Osmani

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, ka shfuqizuar katër dekrete për konsuj të përgjithshëm në Pragë, Lubjanë, Shkup dhe Tiranë.

Siç mëson KALLXO.com, të saposhkarkuarit janë Flakron Shala – Pragë, Blendi Kilaj – Lubjanë, Lindon Kqira – Shkup dhe Halim Krasniqi – Tiranë.

Ky vendim i Osmanit erdhi pasi të martën u raportua se Flakron Shala, djali i deputetit të AAK-së Haxhi Shala u emërua konsull në Pragë të Çekisë.

Blendi Kilaj është djali i ish zëvendësministrit nga radhët e PDK-së, Isni Kilaj. Thaçi e emëruar atë në gradën më të lartë konsullore, gjatë kohës sa babai i tij po mbante këtë pozitë.

Kurse për Halim Krasniqin ishte raportua se ishte riemëruar kundërligjshëm konsull i përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Tiranë.

Vendimi për tërheqjen e tij ishte marrë më 30 mars 2020 nga ish-ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca. Por që, ish- presidenti Thaçi ka refuzuar ta dekretojë tërheqjen gjatë kohës së Konjufcës, por edhe pas ardhjes së Meliza Haradinajt në krye të Ministrisë.

Krasniqi ishte i përfshirë me akuza për sulm fizik ndaj një zyrtare e Konsullatës.

Vjosa Osmani shkarkon djalin e Haxhi Shalës dhe tre konsuj të tjerë