Kurti viziton dy xhamitë e restauruara në Prishtinë, uron muajin e Ramazanit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryetari i Bashkësisë Islame, Myftiu, Naim Tërnava dhe ministri i Kulturës Hajrulla Çeku vizituan xhamitë Pirinaz dhe Alaudin në Prishtinë, të cilat janë restauruar së fundmi.

Kurti tha se këto xhami përgjatë këtij muaji ato do të jenë “një mundësi më shumë për të gjetur qetësinë e shpirtit dhe devocionin e zemrës drejt vlerave të besimit, bashkëpunimit, mbrojtjes dhe zhvillimit të paqes.”

“Këto xhami sërish do të ngrisin në qiell thirrjen për besim, që në tokë të bëhen vepra të mira. Për mirësi ndaj njëri-tjetrit, e bujari ndaj atyre që kanë më pak. E përgjatë këtij muaji ato do të jenë një mundësi më shumë për të gjetur qetësinë e shpirtit dhe devocionin e zemrës drejt vlerave të besimit, bashkëpunimit, mbrojtjes dhe zhvillimit të paqes”- ka shkruar Kurti.

Ndërsa, ka uruar të gjithë besimtarët e fesë islame muajin e Ramazanit.

“U dëshiroj agjërim të lehtë dhe një muaj të begatë”- ka thënë ai.

Nesër, më 11.03.2024 është dita e parë e muajit të Ramazanit.

Për 30 ditë rresht, besimtarët e fesë islame do të agjërojnë muajin e Ramazanit.

Syfyri i parë, sipas kalendarit të Ramazanit, të publikuar nga Bashkësia Islame e Kosovës do të jetë në ora 4:16 minuta ndërsa iftari i parë për këtë vit do të jetë në ora 17:45.