Foto: Zyra e Kryeministrit të Kosovës

Kurti vizitoi Qendrën e Kulturës 'Sami Frashëri' në Turqi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti vizitoi sot Qendrën e Kulturës “Sami Frashëri” në Ankara të Turqisë, i shoqëruar nga Zëvendëskryeministrja, Emilija Rexhepi dhe Ambasadori i Kosovës në Turqi, Agon Vrenezi.

Kurti përmendi se vizita e tij në këtë qendër përkon me ditëlindjen e Sami Frashërit dhe me 125 vjetorin e veprës së tij kryesore “Shqipëria ç’ka qenë, ç‘është e ç’do të bëhet”.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti u prit atje nga nga Koordinatori i kësaj Qendre, Serdal Vardar, Ambasadorja e Shqipërisë, Blerta Kadzedaj, zëvendësambasadori i Maqedonisë së Veriut, Hanif Dauti, kadetë të Forcës së Sigurisë së Kosovës që po studiojnë dhe përgatiten në Turqi dhe studentë shqiptarë të universiteteve në Ankara, së bashku me nxënës të gjuhës shqipe e pjesëtarë të mërgatës.

“Në ditëlindjen e Sami Frashërit, në vitin kur shënojmë 125-vjetorin e veprës së tij madhore “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe çdo të bëhet” dhe 10-vjetorin e kësaj Qendre Kulturore këtu në Ankara që mban emrin e tij, nder i madh e kënaqësi e veçantë të jem këtu, e të bashkëbisedoj me miq shqiptarë që e duan dhe punojnë për kombin tonë kaq shumë” – shkroi Kryeminsitri në Librin e Përshtypjeve.

Ai i ftoi studentët, nxënësit dhe mërgatën që të vijnë në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoninë e Veriut, në Luginë të Preshevës e në Mal të Zi dhe i inkurajoi ata që të mësojnë sa më mirë gjuhën shqipe, që Kurti e quajti gjuhë të bukur e me sintaksë të fortë.

“Ne e dimë që (Sami Frashëri) jetën e veprën i ka në të dy këto vende. Varrin e ka në Stamboll, por përditë lexohet, mësohet, studiohet kudo që janë shqiptarët. Sivjet shënojmë edhe 125-vjetorin e veprës së tij kryesore “Shqipëria ç‘ka qenë, ç‘është e çdo të bëhet” e cila padyshim që është një lloj manifesti se si duhet të duket kombi ynë, e njëkohësisht edhe çfarë rruge duhet të ndjekë ai” – ka thënë Kurti gjatë fjalimit të tij.

Kreu i Qeverisë kosovar ka udhëtuar drejt Turqisë më 30.05.2024. Gjatë qëndrimit atje, ai u prit nga Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan me ceremoni shtetërore.

Kurti pritet të vijojë në Stamboll, ku do të marrë pjesë në forumin e parë ekonomik të bizneseve ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.

Foto: Zyra e Kryeministrit të Kosovës
Foto: Zyra e Kryeministrit të Kosovës