Albin Kurti, Foto: Zyra e Kryeministrit të Kosovës

Kurti uron Bajramin: Le të bëhemi edhe më solidarë e më zemërgjerë me të tjerët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka uruar festën e Kurban Bajramit.

Ai në këtë ditë që po festohet nga besimtarët myslimanë ka thënë se në këtë festë të sakrificës, le të bëhemi edhe më solidarë e më zemërgjerë me të tjerët, për të mirën e përgjithshme, me ata që na rrethojnë.

“Sot, nesër, çdo ditë të vitit” – është shprehur Kurti pas kësaj kërkese që ai pati.

Tutje i pari i Qeverisë së Kosovës ka thënë se sakrifica gjithmonë ka për synim tjetrin, jo veten dhe të mirën e përgjithshme, jo të mirat vetanake.

“Ajo është shërbim dhe përkushtim, që nganjëherë të pakëson, por gjithmonë të lartëson. Përmes saj heq dorë nga të qenit në qendër, për t’u bërë qendra e të tjerëve” – u shpreh kryeministri.

Festa është uruar edhe nga myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i cili gjatë urimit të tij ka pasur një kërkesë për qeverinë e vendit e edhe për ndërkombëtarët.

Ai ka apeluar që sa më shumë të kontribuohet në shtensionimin e situatës në veri, zonë në të cilët janë bërë më shumë se një muaj që ka tensione.