Kurti udhëton për në Turqi, pritet të takohet me Erdoganin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të enjten në mbrëmje [30.05.2024] ka udhëtuar për në Turqi, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, dhe zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi.

Në kryeqytetin e Turqisë, në Ankara, ai do të pritet nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, si dhe do të takohet me ministrin e Punëve të Jashtme, Hakan Fidan.

Në kumtesë theksohet se qëndrimin në Turqi, Kurti do ta vijojë në Stamboll, ku do të marrë pjesë në forumin e parë ekonomik të bizneseve ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.