Kurti takon ministrin e Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar

Kryeministri Albin Kurti është pritur në takim nga ministri i Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, James Heappey.

Bashkë me shefin e qeverisë, në takim me ministrin anglez, ka qenë edhe ambasadori i Kosovës në këtë vend, Ilir Kapiti.

Sipas njoftimit të Qeverisë, në këtë takim palët kanë diskutuar për fushën e mbrojtjes, ku Britania e Madhe është falënderuar për ndihmën që i ka dhënë institucioneve mbrojtëse të Kosovës.

“Posaçërisht u diskutua për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes e të sigurisë dhe kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e Kosovës për përkrahjen e institucioneve profesionale të mbrojtjes, sidomos të akademisë së mbrojtjes Sandhurst për shkollim të karrierës e specialistik”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Në te kaluarën, kadetët e Forcës së Sigurisë së Kosovës kishin fituar të gjitha medaljet në garat ndërkombëtare “Cambrian Patrol” në Britani të Madhe.

Njëri nga kapitenët e FSK-së, Ismail Hoxha, në vitin 2019 kishte shërbyer edhe si instruktor në Akademinë e Mbrojtjes Sandhurst.

Përveç marrëdhënieve mes dy vendeve, në takim është diskutuar edhe për agresionin rus në Ukrainë dhe sfidat që vijnë nga lufta atje.

Kryeministri Kurti ka udhëtuar të hënën për në Mbretërinë e Bashkuar, ku sipas njoftimit të zyrës së tij për media, ai do të takonte sekretaren britanike për Punë të Jashtme, Liz Truss si dhe do të mbante fjalime në Oxford Union dhe në Universitetin e Cambridge.

Kurti udhëton për në Britani të Madhe