Albin Kurti në Ohër, Foto: KALLXO.com

Kurti: Shtensionimi në veri ka ndodhur, rruga është hapur që masat kundër Kosovës të hiqen përfundimisht

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për masat kundër Kosovës, të cilat janë vendosur nga Bashkimi Europian.

Ai tha se shtendosja në veri të Kosovës ka ndodhur dhe se institucionet po bëjnë gjithçka që tensionet të mos përsëriten.

“Deeskalimi ka ndodhur në Kosovë. Ne duhet të kemi kujdes të mos ketë rieskalim dhe për këtë po bëjmë gjithçka që është e mundur por, edhe konfiskimi i armatimit, edhe i armëve në veri, edhe arrestimi i kriminelëve është në funksion të rendit dhe ligjit të cilët e ndihmojnë deeskalimin”- ka thënë Kurti në deklarimin e tij pas takimit me presidentin serb, takim i ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, i cili ka synim normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai tha se meqë ka ndodhur shtensionimi, masat ndëshkuese duhet të hiqen përfundimisht.

“Meqë ka ndodhur ky deeskalim meqenëse udhëzimi administrativ për të zbatuar nenin 72 të Ligjit për vetëqeverisje lokale është nënshkruar nga ministri Krasniqi, rruga është e hapur që këto masa të padrejta që po e dëmtojnë shtetin më demokratik në Ballkanin Perëndimor të hiqen përfundimisht”- theksoi Kurti.