Kurti: Shifrat që po krijohen për mjekët që dalin jashtë vendit janë më të fryra se realiteti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti lidhur me largimin e mjekëve jashtë vendit, ka thënë se po krijohen shifra më të larta sesa që janë në realitet.

Sipas Kurtit nuk është në rregull që çdo e dyta fjalë për shëndetësinë të jetë për mjekët.

“Besoj që shifrat dhe përshtypja që po krijohet është më e fryrë sesa realiteti. Nuk po them që nuk ka mjek që nuk shkojnë por nuk mendoj që është në rregull që çdo e dyta fjali për shëndetësinë të jetë ajo për mjekët që po shkojnë sepse nuk e reflekton realitetin”- ka thënë Kurti.

Ai tutje ka thënë së po angazhohen që të mos shkojnë punëtorët nga shërbimi shëndetësor publik i Kosovës.

“Ne po përpiqemi ta rregullojmë atë që kemi gjetur dhe ligji për pagat besoj që e bën më të mirën sot, pasi ta aprovojmë në Qeveri do ta sjellim në Kuvend dhe to të mund të diskutojmë për të gjitha”- ka thënë ai.

Ligji i pagave, tha se do t’i trajtojë me dinjitet profesionistët shëndetësor.

“Mund të thoni që ky projekligj është dashur të sillet në pranverë por kemi vlerësuar që është e arsyeshme të përgatitemi mirë. Nxitimet janë ato që janë reflektuar në vonesa dhe kësaj radhe ne nuk do të biem pre e kësaj”- ka thënë ai.

Çështjen e pagave për profesionistet shëndetësor e ka ngritur në Kuvend, deputetja Time Kadrijaj.

“Njerëzit që po punojnë në sektorin publik po e braktisin për shkak të pagave”- ka thënë deputetja e AAK-së.