Albin Kurti dhe Edi Rama, Foto: Qeveria e Kosovës

Kurti: Rama t’ia propozojë Vuçiqit draftin e asociacionit për shqiptarët në Serbi

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në vend se të dalë me propozim për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, duhet të dalë me propozim për pakicën shqiptare në Serbi.

Kurti ka ftuar Ramën që këtë draft statut t’ia propozojë Vuçiqit në takimin e radhës në kuadër të “Ballkanit të Hapur”.

“Propozoj që Rama të i’a prezantoj presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuciq më së largu në takimin e radhës të ‘Ballkanit të Hapur’ për shqiptart në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Pa dyshim që Rama beson që ky është model i duhur atëherë do të duhej që këtë të ja bënte si propozim presidentit të Serbisë për shqiptarët atje”- është shprehur Kurti.

Kurti tutje ka thënë se draft statutin e propozuar nga kryeministri Rama nuk e ka lexuar.

“Unë nuk e di atë draft status nuk e kam lexuar, jemi në kontakt të vazhdueshëm, me qenë se kemi edhe mbledhjen e Qeverisë”- ka thënë ai.

Kreu i ekzekutivit ka thënë po ashtu se në takimin e 18 marsit në Ohër, ka propozuar që vetë ta bëjë draftin e vetëmenaxhimin e komunitetit serb në Kosovë, por ka thënë se atë nuk mund ta bëjë pa pasur pajtim për parimet bazë.

“Në Ohër, unë kam ofruar t’a shkruar draft statutin, por me atë rast km kërkuar të ketë dakordim për parimet bazë sepse nuk mund të ballafaqojmë letra dhe tekste kur nuk kemi dakordim paraprak.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë më 8 qershor, se ua ka dërguar një draft për Asociacionin, presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

Rama ka thënë se dokumenti është konfidencial, por është shprehur i bindur se është “një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionit dhe që Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës për Kosovën”.

Sot Kurti ka njoftuar se iu ka propozuar përfaqësuesve të BE-së dhe ambasadorëve të QUINT- it një listë me pesë pika për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.