Kurti: Platforma e-Kosova, dëshmi që situatat e vështira mund të kthehen në ndryshime pozitive

Kryeministri Albin Kurti, e ka cilësuar si të suksesshme platformën e-Kosova, e cila u lansua gjatë kohës së pandemisë COVID-19, duke paralajmëruar se në të do të ofrohen edhe shërbime të reja.

Nëpërmjet një postimi në platformën “X”, ai ka bërë të ditur se “e-Kosova” aktualisht ofron mbi 175 shërbime online.

Sipas tij, në këtë platformë janë të regjistruar mbi 916 mijë përdorues, nga të cilët 50.7% janë gra.

“[Përdoruesit] kanë akses në shërbimet shëndetësore dhe familjare dhe mund të përdorin platformën për të aplikuar për grante dhe ndihma, si dhe për të paguar taksat dhe shërbimet komunale, me shumë shërbime të tjera që do të prezantohen së shpejti”, ka shkruar Kurti

Kjo platformë, siç ka thënë ai, është dëshmi që edhe në situata të vështira mund të gjinden zgjidhje.

“e-Kosova është shembulli më i mirë që tregon se ka mundësi edhe në situata të vështira, dhe është dëshmi e vizionit të Qeverisë sonë për t’i kthyer situatat e tilla në ndryshime pozitive”, ka shkruar Kurti.

e-Kosova është platformë shtetërore ku shërbimet publike që gjenden në zyrat dhe sportelet fizike të institucioneve ofrohen në mënyrë elektronike.