Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti nuk ‘përfill’ kërkesën e ministrit të tij për kushtëzim të dialogut me Serbinë

Kryeministri i vendit, Albin Kurti duket se nuk do ta ‘përfillë’ kërkesën e ministrit të Kulturë Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku për kushtëzim të dialogut me Serbinë.

Të hënën, ministri Çeku tha që të mos vazhdohet dialogu pa u dënuar Serbia për moslejimin e ekipit të boksit të Kosovës për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit.

“Ne jemi në komunikim me zëvendëskryeministrin Bislimi që kjo çështje të trajtohet edhe në nivelt të dialogut dhe ne të kërkojmë që pa e marrë Serbinë dënimin e merituar për këtë që e ka shkaktuar, të mos vazhdohet tutje”, ishte shprehur ministri Çeku të hënën.

I pyetur sot për kërkesën e ministrit të tij, Kurti tha që kjo çështje do të ngritët në dialog dhe është adresuar përmes letrave, por nuk paralajmëroi ndërprerje. Përkundrazi, shtoi që takimi mes palëve mund të ndodhë në mes të nëntorit.

“Takimi do të mund të ndodhte diku në gjysmën e dytë të nëntorit sa i përket përfaqësuesve të dy shteteve tona, ndërkaq sa i përket udhëheqjeve të shteteve nuk ka ndonjë datë për këtë gjë, por e besoj që kjo varet në masë të konsiderueshme prej ndërmjetësuesit”, tha Kurti në konferencën e sotme për media.

Tutje, Kurti shtoi se kjo qasje e Serbisë shpërfaq fytyrën e saj.

“Me bllokimin që ua bëri boksierëve tanë Serbia në kufi e shpërfaqi edhe një herë fytyrën dhe thelbin e saj si shtet për ata të cilët kanë pasur dilema. Natyrisht që të gjitha këto çështja adresohen edhe në Bruksel, këto do të adresohen edhe para se të ketë takim në Bruksel, sepse ne jemi vazhdimisht në komunikim me ta përmes letrave që ua dërgojmë”, tha ai.

Boksierët kosovarë do të merrnin pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit, që ka nisur në kryeqytetin serb, Beograd.

Serbia e pengoi shkuarjen e boksierëve kosovarë në fundjavë, për shkak të simboleve shtetërore.

Më 23 tetor, Asociacioni Botëror i Boksit tha se Kosova është anëtare fuqiplotë e tij dhe se pret pjesëmarrjen e saj në Kampionatin Botëror të Boksit për meshkuj.

Kampionati nisi në Beograd më 24 tetor dhe do të zgjasë deri më 6 nëntor.

Ministri i Sportit: Pa u dënuar Serbia të mos vazhdohet tutje me dialogun në Bruksel