Kurti në Zvicër, flet për dinamizim të procesit të dialogut

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se gjatë vizitës zyrtare në Zvicër, ka takuar zëvendëspresidenten dhe ministrin e Ekonomisë të Zvicrës, kryeministrin e Kroacisë, zëvendësministrin e Ukrainës, si dhe përfaqësuesin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi,  Miroslav Lajçak.

Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Kurti ka thënë se në takimin me zëvendëspresidenten e Zvicrës, Viola Amherd dhe ministrin e Ekonomisë, Guy Parmelin, ka shprehur mirënjohjen për kontributin e Zvicrës që ka dhënë për Kosovën.

Ndërsa me homologun e tij kroat, Adrej Plenkoviq, Kurti ka thënë se ka potencuar se me Kroacinë, Kosova ka të përbashkët të kaluarën dhe të ardhmen brenda BE-së dhe NATO-s.

Kurse me përfaqësuesin e BE për dialogun, Miroslav Lajçak, kryeministri Kurti ka thënë se ka biseduar për hapat e mëtejmë dhe nevojën për dinamizim të procesit të dialogut drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve me Serbinë, sipas tij, me njohje reciproke në qendër.

“Ndërsa me Zëvendëskryeministrin e Ukrainës dhe Ministrin e Transformimit digjital, Mylkhailo Fedorov dhe Administratoren e USAID-it, Samantha Poëer, në Shtëpinë e Ukrainës në Davos diskutuam mbi transformimin digjital” – ka shkruar Kurti në Facebok.

Kryeministri Albin Kurti të hënën me 16 janar ka udhëtuar për në  Zvicër për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

Nga Zvicra Kurti fton bizneset private të investojnë në Kosovë