Kurti në takim me ambasadorët e QUINT-it: BE-ja t’i heqë sa më shpejt masat ndëshkuese ndaj Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, me të cilët, siç thuhet në komunikatën e lëshuar nga Qeveria, ndër tjera ka biseduar edhe rreth procesit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Kurti i falënderoi shtetet e QUINT-it për mbështetjen e vazhdueshme dhe i informoi ata mbi hapat që po ndërmerr vendi ynë në këtë proces, duke i adresuar rekomandimet nga Raporti i Juristëve Eminent. Ai deklaroi se presim avancim në procesin e anëtarësimit, si domosdoshmëri për forcimin e mëtutjeshëm të drejtësisë dhe sundimit të ligjit, dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut të të gjitha komuniteteve në Kosovë”- thuhet në komunikatë.
Kurti, siç njoftohet, ka theksuar edhe nevojën që BE-ja të heqë sa më shpejt masat ndëshkuese ndaj Kosovës.
Sipas tij, arsyet për të cilat janë vendosur masat kanë pushuar qysh në shtatorin e vitit të kaluar, kur qeveria ka bërë veprimet në krijimin e bazës ligjore për mundësimin e procesit të zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës.
Kurti në këtë takim ka qenë i shoqëruar nga zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti.
Kosova po përballet me kritika dhe paralajmërime serioze për prishje të mundshme të raporteve me SHBA-të, shkaku i refuzimit të kërkesës për moszbatim të Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, e cila nuk e lejon asnjë valutë tjetër pos Euros, që të përdorët si mjet pagese.
Ndërsa, Bashkimi Europian ka përsëritur se dëshiron t’u ndihmojë Kosovës dhe Serbisë që të gjejnë një zgjidhje për çështjen e përdorimit të dinarit serb në Kosovë, pas hyrjes në fuqi të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, që parasheh euron si valutë të vetme për pagesa me para të gatshme në shtet.
Zëdhënësi i BE-së për çështje të jashtme dhe sigurisë, Peter Stano, megjithatë gjatë konferencës për media më 23 shkurt nuk deshi të japë detaje rreth një takimi të thirrur për javën e ardhshme në Bruksel për këtë çështje.