Ambasadori William Walker: Burimi i fotos - Zëri i Amerikës
Walker: Kosova është histori suksesi, meritat i takojnë popullit
Ish-ambasadori i OSBE-së, William Walker, është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, më 13.06.2024, me ç’rast është ndarë i kënaqur nga biseda e zhvilluar me të për më shumë se një orë.
Para mediave, ai tha se takimi ishte “mjaft produktiv dhe interesant”.
Walker theksoi se Kosova është “një histori e pabesueshme suksesi” dhe se shqiptarët kanë bërë shumë për Kosovën që është sot.
“Dua të them vetëm një të vërtetë, e cila është se Kosova është një histori e pabesueshme e suksesit. Gjatë 25 viteve ju shqiptarët e Kosovës- kosovarët në përgjithësi, kanë bërë shumë për të krijuar këtë histori të pabesueshme dhe unë dua që ta dijë bota se çfarë suksesi është Kosova”- ka thënë Walker.
Pavarësisht mbështetjes nga aleatët, meritat për të gjitha të arriturat e Kosovës gjatë periudhës së pasluftës, ai ka thënë se para së gjithash i ka vetë populli i Kosovës.
“Dje u thanë shumë fjalë, meritat ju dhanë NATO-s, ju dhanë meritat edhe disa faktorëve të tjerë ndërkombëtarë që ishin këtu, gjë që është e merituar, por unë mendoj që për të gjitha meritat për atë se çfarë ndodhi në Kosovë për këto 25 vitet e fundit, u takojnë kosovarëve”- ka theksuar Walker.
Ai ka komplimentuar mediat në Kosovë për raportime të sakta, por lëvdatat nuk i ka kursyer edhe për Policinë e Kosovës.
“Unë kam ardhur nga Shtetet e Bashkuara, ne kemi shumë policë, disa nga ta janë të mirë, disa nga ta nuk janë edhe aq të mirë, por policët tuaj janë mjaft të mirë. Pse? Sepse janë kosovarë dhe më të vërtetë bëjnë punë të mirë”- është shprehur Walker.
Ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë, William Walker në vitin 1999 kishte parë nga afër krimin e kryer mbi civilët shqiptarë dhe ka pasur rol kyç për dokumentimin e Masakrës së Reçakut e cila ishte kryer nga forcat serbe më 15.01.1999.