Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti: Miqtë nuk mund të ankohen tek unë për takimet në Bruksel, unë e kam mbajtur fjalën

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka marrë fjalën pas deklarimeve të deputetëve gjatë debatit parlamentar që po zhvillon Kuvendi për dialogun Kosovë-Serbi.

Kurti ka thënë se në gusht të vitit 2022, palët janë dakorduar që të takohen rregullisht, një herë në muaj për takim të nivelit të lartë por, sipas tij, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Tutje, Kurti ka thënë se për këtë çështje, miqtë e partnerët nuk mund të ankohen tek pala kosovare.

“Duhet ta kuptoni që ka pasë dakordime që nuk janë respektuar pa fajin tim. Megjithatë unë kam konsideruar që është gabim nëse them që nuk vazhdon dialogu më sepse nuk po ndodh takimi i nivelit të lartë në mënyrë të rregullte dhe mujore siç jemi marrë vesh. Në këtë kuptim, nuk mund të ankohen tek unë miqtë, aleatët, partnerët tanë ndërkombëtare, sepse unë e kam mbajtur fjalën. Dikush tjetër s’e ka mbajtur fjalën”- tha Kurti.

Kreu i ekzekutivit ka thënë se ai ka pritur dinamikë shumë më intensive të dialogut.

“Unë kam qenë i interesuar për një fazë të re dinamike që sa më shpejtë ta arrijmë marrëveshje finale por tjetër kund ka ngecur puna jo tek unë”- ka thënë Kurti.

Kuvendi i Kosovës po zhvillon debat parlamentar për zhvillimet në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ndërsa, ende nuk ka një datë kur pritet të mbahet takimi i radhës i nivelit të lartë lidhur me dialogun, ndonëse i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak pas takimit me kryeministrin Albin Kurti dhe me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, më 7 shkurt ka paralajmëruar se diskutimet do të vazhdojnë në një takim të nivelit të lartë.

Më 6 shkurt, pas drekës me me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë se Kosova e pranon propozimin e Bashkimit Evropian i njohur si plani franko-gjerman.

“Ne do ta pranojmë propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do ta konsiderojmë atë një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Takimi i fundit me Kurtit dhe Vuçiq u mbajt në nëntor të vitit 2022.