Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, merr dozën përforcuese të vaksinës kundër COVID-19, më 21.12.2021, Foto: ZKM

Kurti merr dozën përforcuese të vaksinës kundër COVID-19 dhe atë kundër gripit sezonal

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka marrë dozën përforcuese të vaksinës kundër COVID-19.

Zyra e Kryeministrit njofton se krahas vaksinës kundër COVID-19, njëkohësisht dhe në të njëjtën qendër të vaksinimit, kryeministri  mori edhe vaksinën kundër gripit sezonal.

“Mundësia për të marrë të dyja vaksinat njëkohësisht, na jep mundësinë të mbrohemi nga të dyja sëmundjet, për të mbrojtur veten dhe të tjerët” u shpreh ai.

Kreu i Qeverisë po ashtu bëri thirrje që të gjithë qytetarët mbi moshën 18-vjeç të marrin dozën përforcuese të vaksinës pasi të kenë kaluar gjashtë muaj pas marrjes së dozës së dytë.

“Doza përforcuese u jepet personave të cilët i kanë marrë dy doza të vaksinës kundër COVID-19, por tek të cilët me kalimin e kohës imuniteti i tyre vjen duke rënë. Ajo jepet gjashtë muaj pas marrjes së dozës së dytë”, thuhet në njoftim.

Të dhënat zyrtare tregojnë se në Kosovë janë 314 raste aktive me COVID-19.

Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1,656,937 doza të vaksinës dhe se deri më sot 777,730 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.