Foto: Zyra e Kryeministrit të Kosovës

Kurti: Mbi çerek milion qytetarë zviceranë i kanë rrënjët në Kosovë

Në ngjarjen e organizuar nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë për shënimin e Ditës Kombëtare të Zvicrës, kryeministri Albin Kurti tha se mbi çerek milion qytetarë zviceranë i kanë rrënjët në Kosovë.

Kryeministri tha se Zvicra ka luajtur një rol vendimtar në rrugëtimin e Kosovës duke hapur dyert dhe duke ofruar mundësi për ata që ikën nga një prej krimeve më të këqija që njerëzimi ka parë.

Ai përmendi edhe suksesin e shqiptarëve atje në fusha të ndryshme.

“Suksesi i zviceranëve me origjinë kosovare nuk shfaqet vetëm​ në ndeshjet e futbollit, si në rastin e Xhakës dhe Shaqirit, por edhe në formën e drejtorit të klinikës për kirurgji të zemrës në Universitetin e Cyrihut – si në rastin e Omer Dzemali – dhe në vendet e këshillave kantonale – si në rastin e Ylfete Fanajt” – tha Kurti.

I pari i Qeverisë u shpreh i lumtur për marrëdhëniet mes dy shteteve dhe falënderues për ndihmën ekonomike që tha se Zvicra e ka dhënë që nga viti 1990.

Një fakt që Kurti përmendi është se Zvicra ishte vendi i parë që përmes ministres së atëhershme të Jashtme, Micheline Calmy Rey, deklaroi mbështetjen e saj për pavarësinë e Kosovës, edhe para se Kosova ta shpallte atë.