Foto: ZKM

Kurti: Mbështesim të drejtën e Izraelit për t'u mbrojtur kundër terrorizmit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se është i shqetësuar për krimet kundër civilëve dhe me rritjen e numrit të të vrarëve, pas sulmeve të Hamasit në Izrael.

Kurti tha se i bashkohet thirrjes së aleatëve për ndërprerjen e menjëhershme të këtyre veprimeve dhe “mbështetjen e të drejtës së Izraelit për t’u mbrojtur kundër terrorizmit”.

“Shumë i shqetësuar për krimet kundër civilëve dhe rritjen e numrit të vdekjeve pas sulmeve të Hamasit në Izrael. I bashkohem thirrjes së aleatëve për ndërprerjen e menjëhershme të këtyre veprimeve dhe mbështetjen e të drejtës së Izraelit për t’u mbrojtur kundër terrorizmit dhe kërkesës për lirimin e menjëhershëm të pengjeve” – ka shkruar Kurti në platformën “X”.

Izraelitët janë zgjuar në ditën e tretë të luftimeve me Hamasin. Izraeli i ka thirrur 300 mijë ushtarë rezervistë dhe ka nisur një valë sulmesh ajrore në brezin e vogël, ku jetojnë 2.3 milionë njerëz.

Izraeli thotë se më shumë se 700 njerëz janë vranë dhe 100 të tjerë janë rrëmbyer nga Hamasi.

Në Gaza, më shumë se 400 njerëz janë vrarë pas bombardimeve ajrore hakmarrëse nga Izraeli, sipas zyrtarëve palestinezë.

Forcat izraelite thanë se i kanë sulmuar më shumë se një mijë caqe brenda Rripit të Gazës gjatë natës mes 8 dhe 9 tetorit.

Për historikun e konfliktit të Hamasit me Izraelin mund të lexoni KËTU.