Kurti: Marrëveshja e kyçjes në mes KOSTT dhe ENTSO-E tregon pavarësimin e Kosovës nga Serbia në tregun energjetik

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren në detyrë të Ekonomisë Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari sot vizituan KOSTT, ku takuan Kryeshefin Ekzekutiv të KOSTT, Ilir Shala, zv. Kryeshefin Ekzekutiv, Kadri Kadriu, Drejtorin e Departamentit të Operimit të Sistemit, Sabri Musiqi dhe anëtarë tjerë të menaxhmentit të KOSTT.

Sipas komunikatës, kryeshefi Ekzekutiv, Ilir Shala, ka folur për rëndësinë e votimit të suksesshëm të Marrëveshjes së re të Kyçjes në mes të KOSTT dhe ENTSO-E nga Grupi Regjional i Evropës Kontinentale (RGCE), trup i ENTSO-E. Sipas këtij votimi KOSTT dhe Republika e Kosovës del nga Blloku rregullues Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut, për t’iu bashkuar Bllokut Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë-Shqipëri.

Sipas Shalës, kjo marrëveshje  i hapë rrugë KOSTT-it për integrim në tregun rajonal të energjisë elektrike si dhe pjesëmarrje në Bursën shqiptare të energjisë (APEX).

Shala në takim ka thënë se kjo marrëveshje është një arritje jashtëzakonisht e rëndësishme si për KOSTT-in ashtu edhe për Republikën e Kosovës, derisa shprehu mirënjohje për mbështetjen e institucioneve shtetërore të Kosovës, Ambasadës Gjermane, Bankës Gjermane për Zhvillim, Ambasadës Amerikane, USAID, dhe kompanive homologe të ENTSO-E.

Ndërsa Kurti, votimin e suksesshëm, të mbështetur nga 22 operatorë të Sistemeve të Transmisionit të Evropës, të ditës së djeshme e cilësoi të një rëndësie të veçantë për Republikën e Kosovës. Ajo paraqet pavarësim elektroenergjetik të Kosovës nga Serbia, sovranitet të Kosovës mbi rrjetin energjetik i cili siguron shërbime më të mira energjetike, dhe i njëjti mundëson funksionalizimin e interkonjeksionit 400kV në mes Kosovës dhe Shqipërisë, i cila prej më shumë se 6 vitesh nuk mund të funksionalizohej. Me këtë votim, KOSTT fiton të drejta të barabartë me homologët në Evropë, dhe kështu shmangim humbjet direkte dhe jo direkte që kishim ndër vite nga mospjesëmarrja në këtë mekanizëm ndërkombëtar.

Ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, dje ka njoftuar se sot ka përfunduar procesi i votimit për Marrëveshjen e Re të Kyçjes në mes KOSTT dhe Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë (ENTSO –E).

Hajdari ka thënë se marrëveshja e re është miratuar nga RGCE (Grupi Regjional i Evropës Kontinentale).

Ajo ka shtuar se me votimin e sotëm dhe nënshkrimin që do të pasojë, të Marrëveshjes së Re të Kyçjes ndërmjet KOSTT dhe ENTSO-E, KOSTT dhe Republika e Kosovës fitojnë pavarësinë energjetike, për të cilën është punuar disa vite me radhë.