Manastiri i Deçanit. Foto: Wikimedia.org

Liderët e Kosovës i kanë kërkuar UNESCO-s që t'i largojë katër vende nga lista e trashëgimisë në rrezik

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se së bashku me presidenten Vjosa Osmani dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, kanë kërkuar nga UNESCO që të largojë katër vendet e trashëgimisë kulturore të Kosovës nga Lista e Trashëgimisë Botërore në rrezik.

“Me Vjosa Osmanin dhe Glauk Konjufcën kemi kërkuar nga UNESCO për të tërhequr katër vendet e trashëgimisë në Kosovë nga Lista e Trashëgimisë Botërore në rrezik. Arsyet për vendosjen e tyre në listën e rrezikut nuk vlejnë më. Ne jemi të përkushtuar për të mbrojtur trashëgiminë kulturore në vendin tonë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Në letrën e cila është dërguar më 21 maj është kërkuar që Manastiri i Deçanit, Patrikana e Pejës, Manastiri i Graçanicës dhe Kisha e Shën Premtes në Prizren, të largohen nga lista e trashëgimisë kulturore të rrezikuar pasi ka ndryshuar situata që kur ato janë bërë pjesë e kësaj listë në vitin 2006.