Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kurti: Kushtetuesja rrëzoi dy ligjet, zgjodhi të na vonojë ndjekjen e krimit dhe reformën tonë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar në lidhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese për shpalljen e dy ligjeve si antikushtetuese, atë për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Kurti tha se me këto vendime, Gjykata ka zgjedhur që “të vonojë ndjekjen e krimit dhe të vonojë reformën..

“Të dy këto ligje si reforma thelbësore për sistemin e drejtësisë dhe luftimin e korrupsionit u konsultuan edhe me Komisionin e Venedikut. Komisioni i aprovoi të dy këto, jo vetëm për shkak të qëllimit që kishin, pra luftimin e korrupsionit por edhe siguronin pavarësi në KPK e dobi publike karshi pasurimit të pabazë kriminal e individual”- ka deklaruar Kurti.

“Megjithë këto, Gjykata Kushtetuese rrëzoi të dy ligjet, duke zgjedhur kësisoj të vonojë ndjekjen e krimit dhe ta vonojë reformën tonë. Me 5 vota për në raport me 4 vota kundër, Gjykata Kushtetuese ka gjetur se Kushtetuta është shkelur me ligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, duke treguar kështu se Kushtetuta ndryshe shihet nga gjysma e gjyqtarëve të Kushtetueses në raport me gjysmën tjetër të anëtarëve të Gjykatës”- shtoi ai.

Kreu i ekzekutivit ka kërkuar nga Ministria e Drejtësisë që menjëherë të fillojë me ndryshimet dhe të procedojë me urgjencë në Qeveri.

“Një vjet e katër muaj i janë dashur Gjykatës Kushtetuese ta sjellë vendimin për Byronë, ende të pa publikuar e të paqartë. Uroj që nuk do t’i duhen edhe katër muaj të tjerë që ta publikojë aktgjykimin. Ndërkohë kërkoj nga Ministria e Drejtësisë që menjëherë të fillojë me ndryshime dhe të procedoj me urgjencë në Qeveri. Drejtësia duhet të bëhet, drejtësi duhet të ketë dhe drejtësi do të ketë” – theksoi Kurti.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 26.06.2024 ka marrë vendim për të shpallur të pavlefshëm Ligjin për Konfisikimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke gjetur shkelje kushtetuese në disa pika të këtij ligji.

Më 21.02.2023 Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kishte dërguar këtë ligj në Kushtetuese, për vlerësim të kushtetutshmërisë.

Në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese ka thënë se disa pika të Ligjit të kontestuar janë në kundërshtim me nenin 7 të Kushtetutës “Vlerat”; me nenin 46 “Mbrojtja e Pronës”; nenin 106 “Papajtueshmëria”; nenin 134 “Kualifikimi, Zgjedhja dhe Shkarkimi i Avokatit të Popullit”; si dhe nenin 137 “Kompetencat e Auditorit të Përgjithshëm”.