Kurti: Jemi dy javë larg afatit për marrëveshje me Serbinë për targat

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një takim me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak në kuadër të Forumit Ekonomik të Delfit.

Sipas njoftimit të Qeverisë, në takim u bisedua për çështjen e targave të automjeteve të Kosovës dhe Serbisë, për cilën Kurti ka thënë se janë dy javë larg kësaj marrëveshjeje.

“U bisedua edhe për çështjen e targave të automjeteve midis Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri veçoi faktin se jemi dy javë larg afatit për marrëveshje për këtë çështje, bazuar në standardet dhe praktikat aktuale më të mira të Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Temë diskutimi në takim ishte edhe procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që sipas komunikatës, kryeministri ka theksuar se në qendër ka njohjen reciproke.

“Në takim u bisedua për mbarëvajtjen e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe hapat e ardhshëm në këtë proces. Kryeministri theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar për dialog parimor e të balancuar. Ai ritheksoi se nga ky dialog duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të zbatueshme, që në qendër ka njohjen reciproke”, njofton Qeveria.

Sipas Qeverisë, në takim, u diskutua edhe për invazionin dhe agresionin e paprovokuar ushtarak rus në Ukrainë dhe ndikimin në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe Evropë.

Më 20 shtator, Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit për targa, ndaj Serbisë. Ky vendim u pasua me protesta e ngritje barrikadash në afërsi të dy pikëkalimeve kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak.

Më 30 shtator, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, palët arritën një zgjidhje të përkohshme dhe të dyja shtetet më 4 tetor nisën vendosjen e letrave ngjitëse në simbolet shtetërore në targa.

Që nga ajo kohë, grupet punuese të Kosovës dhe Serbisë kanë mbajtur disa takime për arritjen e një marrëveshje për çështjen e lirisë së lëvizjes.

Arrihet marrëveshja për targat në mes Kosovës dhe Serbisë