Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe shkrimtari Orhan Pamuk, Foto: Albin Kurti/Facebook

Kurti darkon me shkrimtarin turk Orhan Pamuk, thotë se ai është i interesuar për Kosovën dhe shqiptarët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës zyrtare në Turqi është takuar me shkrimtarin e njohur turk, Orhan Pamuk. Teksa ka njoftuar se Pamuk e ka ftuar për darkë, Kurti ka thënë se për të ishte nder e kënaqësi.

Ai ka thënë se shkrimtari është shumë i interesuar për Kosovën, shqiptarët e Ballkanin.

“Në fillim nuk i besova doktorit Bilgin Sait, që shkrimtari Orhan Pamuk po më fton për darkë. Gjersa afrohej mbrëmja, minutat më dukeshin të gjata porsi orët, ndërkaq tri orë e gjysmë me të më ikën porsi minutat. Në restoranin Sur Balık-Cihangir të lagjes Beyoğlu në Stamboll temat e bisedës ndërroheshin më shpesh se pjatat mbi tryezë. Mbase arritëm të shkruajmë përmbledhjen hyrëse të kapitujve të miqësisë sonë të ardhshme. Artisti Orhan Pamuk, fitues i çmimit Nobel për Letërsi në vitin 2006, ka një dashamirësi spontane dhe vëmendje të frikshme. Dhe, aq shumë i interesuar për Kosovën, shqiptarët, Ballkanin. Nder që nuk e shpjegoj, kënaqësi që nuk e përshkruaj”- ka thënë Kurti më 04.06.2024.

Orhan Pamuk konsiderohet një prej shkrimtarëve më të njohur sot në botë. Ai është fitues i çmimit Nobel. Romanet e tij janë të përkthyera në shumë gjuhë botërore.

Kreu i Qeverisë kosovar ka udhëtuar drejt Turqisë më 30.05.2024. Gjatë qëndrimit atje, ai u prit nga Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, me ceremoni shtetërore.