Kurti: Askush që punon 8 orë, nuk duhet të paguhet më pak se 10 euro në ditë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë prezantimit të programit qeverisës në Kuvendin e Kosovës ka deklaruar se askush që punon 8 orë në ditë, nuk duhet të paguhet më pak se 10 euro në ditë.

“Programi duhet të marrë kohën e nevojshme për të identifikuar objektivat. Qytetarët duan një program që përputhet me nevojat dhe të drejtat e tyre. Është ajo për të cilin kemi folur që një kohë të gjatë, një shoqërie që askush nuk mbetet prapa për të ndërtuar potencialin që ia ka jap zoti apo natyra. Kemi zhvillu një program që rrit pagën minimale. Askush që punon 8 orë në ditë, nuk duhet të paguhet më pak se 10 euro në ditë e nuk duhet të tatohet për mbijetesë”, u shpreh Kurti.

Kurti ka thënë se në 4 vitet e ardhme në Qeveri, do të investojë në ekonomi, për të hapur vende të reja të punës.

Gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Kosovës në seancën e jashtëzakonshme për programin qeverisës, kreu i ekzekutivit tha se në ekonomi duhet të zgjerohet klasa e mesme, që të nxisë rritjen ekonomike.

Deputetet e Kuvendit te Kosovës janë duke e mbajtur seancën e jashtëzakonshme me pikën e rendit të ditës Prezantimin e Programit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitet 2021-2025.