Kthehet dhënia e licencave nga KPM-ja

Pas pesë muajsh, pezullimit të lëshimit të licencave për ofruesit e shërbimeve mediale nga Komisioni i Pavarur për Media i ka ardhur fundi.

Dhënia e licencave nga Komisioni i pavarur për media ishte pezulluar gjatë muajit mars me arsyetimin se duhet të bëhet përcaktimi i kritereve dhe procedurave të reja për licencimin e tyre.

“Deri tek vendimi për pezullimin e lëshimit të licencave për Ofruesit e Shërbimeve Mediale Audiovizuele (OSHMA) me transmetim përmes operatorëve të shpërndarjes ka ardhur për arsye se deri më tani lëshimi i licencave nuk është bërë përmes procesit të konkurrimit, prandaj KPM vlerëson se lëshimi edhe i këtyre licencave sikurse edhe licencave për transmetim tokësorë duhet të bëhet përmes konkurrimit”, thuhet në vendimin e pezullimit të  KPM-së.

Ndonëse rrethanat mbetën të njëjta dhe kriteret nuk u ndryshuan, KPM vendosi që të ndërprerjë pezullimin.

Ndërprerja u arsyetua me faktin mund të kalojë kohë e gjatë deri në ndryshimin e kritereve.

“Duke marr për bazë faktin se pas inicimit të procedurës për ndryshimin e Rregullores janë vërejtur çështje të cila kërkojnë kohë me të gjatë për vlerësimin dhe se procedurat për ndryshimin e kësaj Rregullore dhe rishikimi i kritereve për licencim kërkojnë kohë relativisht të gjatë dhe konsultime me praktikat të vendeve tjera, Komisioni vendosi që pezullimi i lëshimit të licencave të ndërpritet, në mënyrë që kërkesat eventuale për licencim të trajtohen dhe kandidatët potencial të pajisen me licenca transmetimi deri në hyrjen në fuqi të Rregullores se re”, thuhet në njoftimin e KPM-së.

Hera e fundit kur një kompani ishte licencuar nga KPM-ja ishte pak kohë para pezullimit të dhënies së licencave.

Në vendimin e fundit para pezullimit KPM  i kishte lëshuar gjashtë licenca një kompanie, si dhe së njëjtës i ishte miratuar rekomandimi për lëshimin edhe të tri licencave shtesë.

Kompania e cila ka përfituar licencat është “ISP Broadcast SH.P.K” me pronar Qëndrim Kryeziun, me seli në Prishtinë dhe e regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bisneseve të Kosovës (ARBK). Kryeziu kishte mohuar të ketë qenë në dijeni për vendimin e KPM-së që të pezullojë dhënien e licencave, para se të aplikonte për leje në këtë institucion.

KPM-ja në një përgjigje për KALLXO.com ishte arsyetuar se kandidati në fjalë i ka dorëzuar aplikacionet para se vendimi të bëhet i plotfuqishëm.

“Të gjitha vendimet e licencimit deri më tani, por edhe ato të takimit të Komisionit të datës 16 mars 2021, janë publikuar në uebfaqen e KPM-së, ku ju mund t`i gjeni të gjitha informacionet e nevojshme lidhur me pyetjen tuaj. Megjithatë ju njoftojmë se në këtë takim kandidati i cili është pajisur me disa licenca është ISP Broadcast SH.P.K. Po ashtu ju njoftojmë se nuk është i licencuari i vetëm i cili ka me shumë se një licencë të këtij lloji por ka edhe shumë të licencuar të tjerë të cilët në të kaluarën janë pajisur me disa licenca, të cilat janë kryesisht kanale tematike me përmbajtje si muzikë, film, dokumentare, etj”, thuhet në përgjigjen e Arsim Dreshajt, zyrtar i Lartë për Marrëdhënie me Publikun në KPM.

KPM-ja ka mohuar se i janë dhënë licencat biznesit në fjalë, duke u bazuar në grupe të interesit.

Si e kishte arsyetuar KPM-ja  vendimin për pezullimin e lëshimit të licencave?

Në mbledhjen e mbajtur më 16 mars 2021, KPM-ja ka vendosur që pezullimi për dhënien e licencave për kanale televizive të bëhet deri në përcaktimin e kritereve dhe procedurave të reja për licencimin e tyre.

Vendimi më pas është nënshkruar më 23 mars 2021 nga kryetari i KPM-së Xhevat Latifi.

KPM-ja në një përgjigje për KALLXO.com kishte treguar se pse ka ardhur deri te vendimi për pezullimin e dhënies së licencave.

“Deri tek vendimi për pezullimin e lëshimit të licencave për Ofruesit e Shërbimeve Mediale Audiovizuele (OSHMA) me transmetim përmes operatorëve të shpërndarjes ka ardhur për arsye se deri më tani lëshimi i licencave nuk është bërë përmes procesit të konkurrimit, prandaj KPM vlerëson se lëshimi edhe i këtyre licencave sikurse edhe licencave për transmetim tokësorë duhet të bëhet përmes konkurrimit”, thuhej në përgjigjen e tyre.

KPM-ja ka treguar edhe se cilat do të jenë ndryshimet në kriteret për dhënien e licencave.

“Deri më tani procedura e lëshimit të këtij lloji të licencave ka rezultuar me licencimin e një numri të madh të mediave ku një numër i konsiderueshëm i tyre nuk janë funksionale dhe me qëllim të licencimit të ofruesve të shërbimeve mediale me të qëndrueshme KPM ka iniciuar edhe procedurën për ndryshimin e Rregullores për Ofruesit e Shërbimeve Mediale Audio dhe Audiovizuele (Rregullorja 2017/02), përmes ndryshimit të së cilës do të ndryshohet procedura dhe kriteret e licencimit, ku lëshimi i licencave të KPM-së për këtë lloj të transmetimit të bëhet përmes shpalljes se konkursit publik nga ana e KPM-së”, thuhet në përgjigje.

Por në vendimin e djeshëm të KPM-së për ndërprerjen e këtij vendimi thuhet se kjo është bërë pasi që hartimi i rregullores mund të marrë kohë të gjatë.

“Duke marr për bazë faktin se pas inicimit të procedurës për ndryshimin e Rregullores janë vërejtur çështje të cila kërkojnë kohë më të gjatë për vlerësimin dhe se procedurat për ndryshimin e kësaj Rregullore dhe rishikimi i kritereve për licencim kërkojnë kohë relativisht të gjatë dhe konsultime me praktikat të vendeve tjera, Komisioni vendosi që pezullimi i lëshimit të licencave të ndërpritet, në mënyrë që kërkesat eventuale për licencim të trajtohen dhe kandidatet potencial të pajisen me licenca transmetimi deri në hyrjen në fuqi të Rregullores se re”, thuhet në njoftimin e KPM-së.

Ndërkaq, gjatë mbledhjes së Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal të martën ka pasur diskutime rreth pezullimit të dhënies së licencave për ofruesit e shërbimeve mediale audiovizuele me transmetim përmes rrjetit të operatorëve të shpërndarjes dhe u ngritën dyshime se vendimi mund të jetë i paligjshëm.

Fitim Haziri, anëtar i Komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje  ngriti dyshimet se vendimi i KPM-së për pezullimin e lëshimit të licencave për ofruesit e shërbimeve mediale audiovizuele me transmetim përmes rrjetit të operatorëve të shpërndarjes mund të jetë i paligjshëm.

“Keni marrë një vendim në bazë të çka? Ju nuk mund të punoni sipas qejfit tuaj, ju bazoheni diku. Mund të jetë vendim i paligjshëm pasi që  keni pezulluar një nga kompetencat e KPM-së që është dhënia, pezullimi dhe monitorimi i licencave”, tha Haziri.

Haziri ka reaguar edhe pas vendimit për ndërprerjen e këtij vendimi. Ai ka kërkuar tërheqjen apo shkarkimin e anëtarëve të KPM-së.

“Një ndër vendimet që KPM jashtëligjshëm e kishte marrur, ishte pezullimi i përkohshëm i lëshimit të licencave për Ofruesit e Shërbimeve Mediale Audiovizuele me transmetim përmes rrjetit të operatorëve të shpërndarjes.Shumë mirë që KPM ka hequr dorë nga ky vendim, por kjo nuk mjafton. Anëtarët e Komisionit të Pavarur të Mediave, duhet të japin dorëheqje, ose duhet që na ta bëjmë punën në bazë të kompetencave që i kemi si Komision Mbikqyrës i KPM-së”, ka shkruar Haziri në facebook.