Foto: KALLXO.com

KPM pezullon përkohësisht dhënien e licencave për kanalet e reja televizive

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) në mbledhjen e mbajtur më 16 mars 2021, kishte vendosur të pezullohet përkohësisht lëshimi i licencave për ofruesit e shërbimeve mediale audiovizuesle me transmetim përmes rrjetit të operatorëve të shpërndarjes, deri në përcaktimin e kritereve dhe procedurave të reja për licencimin e tyre.

Ndërsa në mbeledhjene  sotme, KPM ka miratuar rekomandimin për lëshimin e tri licencave për kanale televizive vendore.

KALLXO.com ka përcjellë mbledhjen e sotme të këtij Komisioni.

Ky vendim i sotëm i këtij institucioni, është marrë me arsyetimin se aplikimin dhe rastet i kanë pranuar para se të hyjë në fuqi vendimi i KPM-së që të pezullojë përkohësisht dhënien e licencave.

Vendimi në fjalë është nënshkruar më 23 mars 2021 nga kryetari i KPM-së Xhevat Latifi. Njoftimi për këtë vendim është publikuar në ueb faqen e KPM-së më 24 mars 2021.

Ndërkaq, në mbledhjen e sotme të këtij komisioni, Luan Latifi, kryeshef ekzekutiv i Zyrës Ekzekutive të KPM-së tha se nuk kanë pranuar kërkesa për licencim nga data 8 prill 2021, në kohën kur edhe ka hyrë në fuqi vendimi për pezullim të licencave për televizione.

Kurse, KPM në një përgjigje për KALLXO.com ka treguar se pse ka ardhur deri te vendimi për pezullimin e dhënies së licencave.

“Deri tek vendimi për pezullimin e lëshimit të licencave për Ofruesit e Shërbimeve Mediale Audiovizuele (OSHMA) me transmetim përmes operatorëve të shpërndarjes ka ardhur për arsye se deri më tani lëshimi i licencave nuk është bërë përmes procesit të konkurrimit, prandaj KPM vlerëson se lëshimi edhe i këtyre licencave sikurse edhe licencave për transmetim tokësorë duhet të bëhet përmes konkurrimit”, thuhet në përgjigjen e tyre.