Kryetarja e Asociacionit të Gazetarëve paralajmëron bojkotimin e përcjelljes së takimeve LVV-LDK

Kryetarja e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli, ka reaguar pasi gazetarët nuk janë lejuar as sot të futen në objektin e Kuvendit të Kosovës për të përcjellë takimin në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Tërësisht e papranueshme, jo korrekte, jo profesionale, për më tepër edhe jo humane, trajtimi i gazetarëve dhe xhiruesve gjatë përcjelljes së takimeve në mes VV e LDK. Përderisa këto takime zgjasin me orë të tëra, gazetarët janë të detyruar të qëndrojnë jashtë, në temperatura të ulëta”, ka thënë ajo në Facebook.

“Kërkojmë që urgjentisht të merren masa që kolegët tonë të trajtohen me korrektësi, në mënyrë dinjitoze dhe mos të vazhdoj edhe më tutje ky trajtim jo human”, ka thënë tutje kryetarja e organizatës që mbron dhe promovon të drejtat e gazetarëve në Kosovë.

Ajo ka thënë se nëse trajtimi i gazetarëve vazhdon edhe më tej, do të kërkojnë që të bojkotohen takimet LVV-LDK.

“Nëse gazetarët e xhiruesit do të vazhdojnë edhe me tutje të ballafaqohen me këtë trajtim, ne si AGK do të kërkojmë nga kolegët tonë bojkotimin e përcjelljes së takimeve, ku anëtarët e komunitetit tonë shpërfillen dhe pengohen në kryerjen e detyrës së tyre”, ka thënë në fund ajo.

Ky nuk është rasti i parë që gazetarët nuk lejohen të futën në objektin e Kuvendit të Kosovës, ndonëse temperaturat janë të ulëta.

Takimi Kurti- Mustafa, gazetarët nuk lejohen të hyjnë në Kuvend