Foto: Facebook

Kryetari i Tuzit për zgjedhjet në Luginën e Preshevës: Kur shqiptarët bashkohen, përherë fitojnë

Kryetari i Tuzit, Nik Gjeloshaj, me anë të një deklarate ka thënë se i gëzohet rezultateve të shkëlqyera të zgjedhjeve në Luginën e Preshevës.

Me anë të një postimi në Facebook, Gjeloshaj ka thënë se shqiptarët kur bashkohen ata gjithmonë fitojnë.

“Jam shumë i lumtur për rezultatet e shkëlqyera që subjektet shqiptare arritën në Luginën e Preshevës. Mbas fitorës së madhe të shqiptarëve në Tuz, në marsin e vitit të kaluar, fitorja e shqiptarëve në Serbi dëshmon më së miri se kur shqiptarët bashkohën përherë fitojnë!”, ka shkruar Gjeloshaj.

Tutje ai ftoi që subjetet shqiptare politike në Ulqin të reflektojnë dhe të bashkohen.

“Me këtë rast dua edhe publikisht t’i ftoj subjektet shqiptare në Ulqin, që të reflektojnë dhe të bashkohën pa kushte, por në bazë të principeve të punës dhe suksesit në vepër, se vetëm në këtë mënyrë ata mund t’a kthejnë qeverisjen në Ulqin, sikur ne vepruam në Tuz!”, ka shkruar tutje ai.

Gjeloshaj shtoi edhe se shpreson që të vazhdohet fryma e bashkimit të shqiptarëve.

“Me shpresë që edhe në proceset tjera politike që pasojnë, të vazhdohet fryma e bashkimit që e filloi Malësia, sepse po dëshmohet se është rruga e vetme politke për arritjen e aspiratave dhe integrimin e merituar të shqiptarëve kudo që jetojmë e veprojmë!”, ka përfunduar postimin Gjeloshaj.

Ndryshe, Partitë shqiptare nga Lugina e Preshevës për herë të parë në zgjedhjet parlamentare kanë marrë pjesë të bashkuar, me një listë zgjedhore.