Kryetari i Sindikatës së Minatorëve: Nuk jemi takuar asnjëherë me kryeministrin dhe as me ministren Rizvanolli

Ibrahim Jonuzi, kryetar i Sindikatës së Minatorëve të Trepçës, ka thënë se prej që është formuar Qeveria Kurti 2, minatorët nuk janë takuar asnjëherë me kryeministrin Albin Kurti, e as me ministren e Ekonomisë Artane Rizvanolli.

Ai ka thënë se në kohët e fundit kanë kërkuar takim me Rizvanollin për të ja shprehur problemin e pagave, por që sipas tij, takimet nuk kanë ndodhur.

“Ministria nuk don me dëgju, nuk don me na taku, nuk don me i dëgju hallet tona. Asnjëherë nuk kemi arritë me u taku me ministren Rizvanolli prej që është ministre, s`di sa herë kemi kërku takim direkt me ministren. As me kryeministrin nuk jemi taku. Tash së fundmi ministria e ka ftu në takim kryeshefin ekzekutiv, por nuk e ka ftu sindikatën me dëgju edhe zërin e punëtorëve, sepse ne nuk bëjmë politika, ne i paraqesim problemet” – ka thënë Jonuzi.

Ai ka bërë të ditur se minatorët kanë vonesa të vazhdueshme në marrjen e pagave, ndërsa paga e muajit maj nuk ju është dhënë ende e plotë.

“Jo nuk e kemi marrë rrogën e plotë, kemi pasur vonesa të vazhdueshme. Në maj nuk është dhënë paga e plotë, vetëm një pjesë”.

Në emisionin Kallxo Përnime është duke u debatuar për ndërmarrjet publike në Qeverinë Kurti 2. Të ftuar në debat janë deputeti Armend Muja; Nagip Skenderi njohës i ekonomisë dhe profesor në UP; Jakup Bellaqa njohës i ekonomisë dhe Ibrahim Jonuzi kryetar i Sindikatës së Minatorëve të Trepçës.