Kryesia e Kuvendit pa kuorum, të enjten mbahet seancë për pikat e papërfunduara

Kryesia e Kuvendit të Kosovës nuk ka pasur kuorumin e nevojshëm për të mbajtur mbledhjen e sotme.

Kryetarja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se ndonëse nuk pati një takim formal, shefat e grupeve parlamentare u dakorduan për disa çështje.

Ajo bëri të dikur se në seancën e sotme do të votohen pesë marrëveshje ndërkombëtare të cilat nuk janë votuar javën e kaluar.

“Për shkak të mungesës së kuorumit ky takim në aspektin formal nuk filloi. Sot jemi dakorduar bashkë me shefat e grupeve parlamentare nga partitë opozitare që me mocion procedural në agjendën e ditës së sotme të përfshijmë edhe pesë marrëveshje ndërkombëtare të cilat janë shtyrë nga java e kaluar për shkak të mungesës së kuorumi. Janë ato mes Kosovës dhe BE-së”-ka thënë Kusari-Lila.

Ajo tutje tha se u dakorduan që të enjten, të mbahet seanca e radhës e cila në rend dite do të ketë pikat e pa përfunduara nga seancat e kaluara.

“U dakorduam që të enjten e radhës të kemi një seancë me trajtimin e të gjitha pikave të pa përmbyllura të deritashme që ato të përfundohen dhe në një mbledhje të kryesisë së radhës të caktojmë një seancë të re të Kuvendit”-shtoi tutje ajo.

Kusari-Lila ka komentuar Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2022, ku ndër të tjera ceket problemi i mungesës së kuorumit të Kuvendit.

Ajo tha se këtë problem e ka adresuar në grupin parlamentar që ajo udhëheq.

“Unë e kam adresuar këtë si problem edhe vetëkritikë edhe për grupin parlamentar. Një prej formave që jemi dakordu që seanca të mbajmë në ditë të caktuara. Po vazhdojmë më të njëjtin angazhim ndoshta ende më të madh, përkundër që shumë seanca janë mbyllur në mungesë të kuorumit, legjislatura e tetë, sesioni pranveror ka tregu një sukses dhe numër rekord të pikave të miratuara”-ka thënë tutje Kusari-Lila.

Komisioni Evropiane: Kuvendi i Kosovës vazhdon të ndikohet negativisht nga atmosfera politike