Ylfete Fanaj, ministre kantonale në Zvicër. FOTO: Albin Kurti, Facebook.

Kryeministri Kurti uron Ylfete Fanajn, e cila u zgjodh ministre e kantonit zviceran Luzern

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar Ylfete Fanajn, e cila është zgjedhur si ministre kantonale, duke u bërë kështu e para shqiptare që i besohet një detyrë ekzekutive në Zvicër.

“Shqiptarja e parë deputete në Parlamentin e Kantonit të Luzernit dhe e para që udhëhoqi me Parlamentin e këtij Kantoni, Ylfete Fanaj, sot u bë shqiptarja e parë ministre në qeverinë kantonale të Luzernit” – ka shkruar Kurti në Facebook.

Tutje Kurti e ka quajtur Fanajn “pionere shqiptare në politikë” duke thënë se, të arriturat e saja janë inspirim dhe udhërrëfim për mërgatën e Kosovës në Zvicër.

Pasi i ka uruar suksese në detyrën e re dhe punë të palodhshme përballë përgjegjësive të reja, kreu i Qeverisë së Kosovës ka thënë se atë dhe ministren Fanaj nuk i bashkon vetëm origjina por edhe orientimi socialdemokrat.

“Me të nuk na bën bashkë vetëm origjina, por edhe orientimi socialdemokrat. Andaj edhe bashkëpunimin e kemi detyrim, përveçse interes të përbashkët”- ka përmbyllur Kurti.