Kryeministri, dy zv.kryeministrat dhe disa ministra udhëtuan për në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar për në Bruksel për të zhvilluar mbledhjen e katërt të Këshillit të Stabilizim-Asociimit (KSA) që do të mbahet nesër.

Sipas Zyrës së Kryeministrit, në këtë takim delegacioni nga Kosova do të takohet me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Josep Borrell dhe komisionerin për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi.

“Në takim do të diskutohet mbi marrëdhënien bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian në kontekstin e marrëveshjes kontraktuale të Stabilizim-Asociimit si pjesë e procesit të integrimit të Republikës në Kosovës në Bashkimin Evropian”, është thënë tutje.

Delegacioni i Kosovës përbëhet nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, zëvendëskryeministrja e dytë dhe njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala.