KRU "Prishtina" nesër fillon shkyçjen e bizneseve që nuk kanë paguar faturat

Kompania Rajonale e Ujësjellësit ”Prishtina” ka njoftuar se nga nesër, 25 korrik, do të fillojë shkyçjen nga rrjeti i ujësjellësit të bizneseve që nuk kanë paguar faturat e ujit.

“Masa e shkyçjes dhe më vonë rikyçjes do të shoqërohet edhe me shpenzime shtesë të cilat rrjedhin nga tarifat e parapara nga Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit dhe Urdhëresës Tarifore të Shërbimeve”, thuhet në njoftim.

KRU “Prishtina” paralajmëron se në rast të ndonjë ndërhyrje të paautorizuar në rrjetin e ujësjellësit pas aplikimit të shkyçjes, do të iniciojë kallëzime penale për secilin konsumator të kategorisë së bizneseve në rast se ndërmarrin veprime të tilla të paligjshme.

“Po ashtu, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës – Kodi Nr.06 / L-074, Neni. 314 konsiderohen vepra penale çfarëdo manipulimi apo vjedhje që përfshihet edhe shërbimi me ujë të pijshëm”, vazhdon paralajmërimi.

Sipas KRU “Prishtina”, borxhi total i bizneseve të vogla e të mëdha është mbi 7 milionë euro, prej tyre mbi 5 milionë euro bizneset e vogla dhe mbi 2 milionë euro bizneset e mëdha.