Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

KQZ: Dalja në zgjedhje 47%

Para pak minutave ka përfunduar procesi i votimit dhe sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve 47% apo 838,178 persona kanë shfrytëzuar të drejtën e votës.

Në Gjilan, Kaçanik, Fushë Kosovë, Obiliq, Podujevë, Prishtinë, Shtime, Ferizaj dhe Vushtrri dalja në votim është mbi 50%.

Numri më i madh i personave që kanë dalë në votim janë regjistruar në komunat me shumicë serbe. Në Leposaviq 85,47%, Zubin Potok 81,58%, në Zveçan 81,47% dhe në Mitrovicën e Veriut 68,6%.

Komuna e Dragashit ka daljen më të vogël në votim nga të gjitha komunat e Kosovës. Vetëm 31,64% apo 11,823 qytetarë e kanë shfrytëzuar të drejtën e votës.

Të drejtë vote në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit kishin 1.794.862 qytetarë.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare janë mbajtur si rezultat i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka urdhëruar mbajtjen e zgjedhjeve të reja pasi ka konsideruar se zgjedhja e Qeverisë së Avdullah Hotit ishte bërë me shkelje ligjore.

Të dhënat në lidhje me numrin e qytetarëve që kanë shfrytëzuar të drejtën e votës mund t’i gjeni KËTU.