Ilustrim

Kosova më 1 shkurt pritet të nënshkruajë kontratën për aplikacionin për njohjen e certifikatës së vaksinimit në BE

Me 1 shkurt Ministria e Shëndetësisë pritet të nënshkruajë kontratën për krijimin e aplikacionit për njohjen e certifikatës së vaksinimit në vendet e Bashkimit Evropian.

Certifikata e vaksinimit, e cila lëshohet për qytetarët që marrin vaksinën në Kosovë, nuk njihet në asnjërin vend të BE-së.

Kjo për shkak se Kosova ende nuk ka përmbushur kushtet që i janë vënë nga Komisioni Evropian që kjo certifikatë të njihet në këto vende.

Sipas institucioneve certifikata ka problem teknik pasi nuk i njihet QR Code kur pajisja që e lexon nuk ka qasje në internet.

Këtë ‘problem teknik’ Kosova synon ta zgjidhë me 180 mijë euro përmes krijimit të një aplikacioni mobil, të financuar nga Bashkimi Evropian, i cili më pas do të japë qasje në certifikatë edhe pa qasje në rrjet (internet).

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë në lidhje me procesin e njohjes së certifikatës së vaksinimit në vendet e Bashkimit Evropian ka hapur tender në vlerë 180 mijë euro, kurse kohëzgjatja e kësaj kontrate do të jetë 20-muajshe.

Përmes kësaj kontrate, Ministria e Shëndetësisë me mbështetje financiare nga Komisioni Evropian synon të krijojë një aplikacion mobil për njohjen e certifikatës edhe kur pajisjet (telefoni, tableti etj.) nuk kanë qasje në rrjet të internetit.

Aplikimet për krijimin e këtij aplikacioni është thënë se duhet të dorëzohen deri me datën 18 janar në Ministrinë e Shëndetësisë në Kosovë ku më pas më 28 janar të zgjidhet edhe operatori fitues.

Pas përzgjedhjes së operatorit fitues, më 1 shkurt pritet të nënshkruhet kontrata për krijimin e aplikacionit, ndërsa puna do të fillojë më 2 shkurt.

Në një komunikim që ka pasur KALLXO.com me Komisionin Evropian në muajin dhjetor është konfirmuar që Kosova është duke u mbështetur financiarisht përmes një projekti të institucionit evropian për shëndetësinë në Kosovë, i cili në tërësi ka vlerën mbi 7 milionë euro.

“Tani mund të konfirmoj se me projektin EU4Health ne me të vërtetë po e mbështesim edhe financiarisht Kosovën për të përmbushur kërkesat teknike për t’u anëtarësuar në Certifikatën Digjitale të BE-së”, kishte thënë për KALLXO.com zëdhënësi i KE-së, Johannes Bahrke.

Kosova nuk ka përmbushur kushtet teknike të kësaj certifikate, ndonëse ishin njoftuar për një kërkesë të tillë nga Komisioni Evropian.

Gjithashtu, përmes kësaj kontrate të Ministrisë synohet të përmirësohet edhe sistemi elektronik i vaksinimit dhe testimit.

“Lidhur me kërkesën tuaj  në lidhje me kontratën “Upgrade of the Vaccination module, development of the Test and Recovery module & Mobil App for offline verification” (Përmirësimi i elementeve të standardizuara të vaksinimit, zhvillimi i elementeve të Testimit dhe Shërimit dhe aplikacioni mobil për verifikimin offline) iu njoftojmë që ky aktivitet do të financohet me fonde të Grantit “EU4Health – Contribution to the availability and access to the vaccines against Emergency Covid-19 in Kosovo”, thuhej në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë për KALLXO.com në muajin dhjetor.

Kosova, bashkë me Bosnje e Hercegovinën, mbeten dy vendet e vetme të Ballkanit Perëndimor, të cilave BE-ja nuk ua njeh certifikatat e vaksinimit.

Në Kosovë jepen vetëm vaksinat Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca – të dyja të miratuara nga Agjencia Evropiane e Barnave dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Pas marrjes së dritës jeshile nga Këshilli Evropian më 16 dhjetor, Komisioni Evropian ka njoftuar se ka miratuar rregulla të reja në lidhje me certifikatën e vaksinimit të BE-së, duke e bërë të njëjtën të vlefshme për një periudhë 270-ditore.

Mbi 60 vende dhe territore në pesë kontinente i janë bashkuar sistemit përmes të cilit kontrollohen dhe verifikohen këto certifikata.

Në këtë listë të vendeve, nga Ballkani Perëndimor mungojnë vetëm Kosova dhe Bosnja.

Maqedonia e Veriut ishte partneri i parë nga Ballkani Perëndimor që u lidh me Certifikatën Digjitale të COVID-19 të BE. Më 15 shtator, Shqipëria gjithashtu u lidh dhe pastaj Serbia më 16 nëntor. Mali i Zi u lidh me këtë certifikatë digjitale më 22 dhjetor 2021.

Sipas Komisionit, me periudhën e re të vlefshmërisë së certifikatave të vaksinimit, në certifikata do të regjistrohen dozat përforcuese.

Dozat përforcuese të serisë së vaksinimit me dy doza do të regjistrohen si “3/3”, ndërsa dozat përforcuese të vaksinave me një dozë do të rikuperohen si “2/1″.

Në të njëjtën kohë, ata që janë shëruar nga COVID-19 dhe kanë marrë dozën e parë të një vaksine me dy doza, do ta kenë të regjistruar si “2/1” në certifikatat e tyre.

Certifikatat nuk do të kenë një datë vlefshmërie, por aplikacionet celulare të përdorura për të verifikuar certifikatat digjitale të COVID të BE-së do të rregullohen për të kontrolluar dhe verifikuar nëse kanë kaluar 270 ditë nga data e fundit e vaksinimit apo jo.

Për të lehtësuar lëvizjen e lirë të sigurt gjatë pandemisë COVID-19, Parlamenti Evropian dhe Këshilli miratuan, më 14 qershor 2021, Rregulloren për certifikatën digjitale të BE -së për COVID-19.

Shtetet anëtare duhet të ndërmarrin menjëherë të gjitha hapat e nevojshëm për të siguruar qasjen në vaksinim për ato grupe të popullsisë, certifikatat e vaksinimit të lëshuara më parë i afrohen kufirit të periudhës standarde të pranimit. Deri më tani, asnjë periudhë standarde pranimi nuk do të zbatohet për certifikatat e lëshuara pas administrimit të dozave përforcuese, duke qenë se nuk ka ende të dhëna të mjaftueshme në lidhje me periudhën e mbrojtjes nga COVID-19 pas marrjes së kësaj doze përforcuese.

Periudha e pranimit nuk do të kodohet në vetë certifikatën. Në vend të kësaj, aplikacionet celulare të përdorura për të verifikuar certifikatat digjitale të BE-së për COVID-19 do të rregullohen: Nëse data e vaksinimit është më e gjatë se 270 ditë më parë, aplikacioni celular i përdorur për verifikim do të tregojë certifikatën si të skaduar.

Për të lejuar kohë të mjaftueshme për zbatimin teknik të periudhës së pranimit dhe për fushatat përforcuese të vaksinimit të shteteve anëtare, këto rregulla të reja duhet të zbatohen nga 1 shkurti 2022.

Kosova rrezikon izolimin, BE nuk njeh certifikatën e vaksinimit