Ilustrimi: Granit Mavriqi / KALLXO.com

Kosova rrezikon izolimin, BE nuk njeh certifikatën e vaksinimit

Përveç kufizimit me mos-liberalizim të vizave, qytetarët e Kosovës mund të mos lejohet të udhëtojnë në vendet e Bashkimit Evropian për shkak se blloku nuk i njeh ende certifikatat e vaksinimit kundër COVID-19, të lëshuara në Kosovë.

Mirëpo, përderisa Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e Bashkimit Evropian për liberalizim të vizave, e njëjta situatë nuk qëndron edhe tek kushtet teknike të certifikatës se vaksinimit.

Kosova nuk ka përmbushur kushtet teknike të kësaj certifikate, ndonëse ishin njoftuar për një kërkesë të tillë nga Komisioni Evropian.

Këtë ‘problem teknik’, Kosova synon ta zgjidhë me 180 mijë euro përmes krijimit të një aplikacioni mobil të financuar nga Bashkimi Evropian, i cili më pas do të japë qasje në certifikatë edhe pa qasje në rrjet.

“Ky është një proces që përfshin disa hapa dhe sigurisht që Komisioni informon për kërkesat teknike sapo t’i drejtohet një palë e tretë. Siç thashë, ne kemi pranuar aplikacionin e Kosovës dhe jemi duke e vlerësuar atë”, ka thënë zëdhënësi i KE-së, Johannes Bahrke për KALLXO.com.

Në një komunikim që ka pasur KALLXO.com me Komisionin Evropian është konfirmuar që Kosova është duke u mbështetur financiarisht përmes një projekti të institucionit evropian për shëndetësinë në Kosovë, i cili në tërësi ka vlerën mbi 7 milionë euroshe.

“Tani mund të konfirmoj se me projektin EU4Health ne me të vërtetë po e mbështesim edhe financiarisht Kosovën për të përmbushur kërkesat teknike për t’u anëtarësuar në Certifikatën Digjitale të BE-së”, ka thënë më tej Bahrke.

Tutje nga Komisioni Evropian kanë thënë se presin nga vendet e Ballkanit Perëndimor që të lidhen në sistemin e njohjes së certifikatës së vaksinimit.

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë në lidhje me procesin e njohjes së certifikatës së vaksinimit në vendet e Bashkimit Evropian ka hapur tender për kontratë në vlerë 180 mijë euro, kurse kohëzgjatja e kësaj kontrate do të jetë 20 muajshe.

Përmes kësaj kontrate, Ministria e Shëndetësisë me mbështetje financiare nga Komisioni Evropian synon të krijojë një aplikacion mobil për njohjen offline të certifikatës.

Aplikimet për krijimin e këtij aplikacioni duhet të dorëzohen deri me datën 18 janar në Ministrinë e Shëndetësisë në Kosovë ku më pas do të bëhet edhe përzgjedhja e kompanisë fituese.

Gjithashtu, përmes kësaj kontrate synohet të përmirësohet edhe sistemi i vaksinimit dhe testimit.

“Lidhur me kërkesën tuaj  në lidhje me kontratën “Upgrade of the Vaccination module, development of the Test and Recovery module & Mobil App for offline verification” (Përmirësimi i elementeve të standardizuara të vaksinimit, zhvillimi i elementeve të Testimit dhe Shërimit dhe aplikacioni mobil për verifikimin offline) iu njoftojmë që ky aktivitet do të financohet me fonde të Grantit “EU4Health – Contribution to the availability and access to the vaccines against Emergency Covid-19 in Kosovo”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë për KALLXO.com.

BE-ja, përveç certifikatës, nga 10 janari, synon t’i ndalojë të gjithë ata që nuk janë të vaksinuar me dozën e tretë të vaksinës. Aktualisht, për të hyrë në njërin nga vendet e BE-së mjafton testi negativ PCR i COVID-19.

Kosova, bashkë me Bosnje e Hercegovinën, mbeten dy vendet e vetme të Ballkanit Perëndimor, të cilave BE-ja nuk ua njeh certifikatat e vaksinimit.

Në Kosovë jepen vetëm vaksinat Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca – të dyja të miratuara nga Agjencia Evropiane e Barnave dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Zëvendës-ministrja e shëndetësisë, Dafina Gexha tha javën e kaluar se ky problem është i natyrës teknike.

“Jemi në fazën kur duhet të bëhet i lexueshëm kodi QR offline [pa qenë të lidhur në internet]. Aktualisht është i lexueshëm vetëm online. Çështja ka të bëjë me aspektin teknik”, tha Gexha për Radion Evropa e Lirë duke shtuar se kjo mund të kryhet para datës 10 janar kur pritet të aplikohet edhe kushti për tri dozat e vaksinës.

“Besoj se deri atëherë edhe kjo certifikatë do të kompletohet dhe qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa pengesa jashtë vendit”, ka shtuar Gexha.

Në fillim të muajit tetor, ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, kishte deklaruar se Kosova tashmë ka aplikuar për njohjen e certifikatës së vaksinimit në vendet e BE-së.

“Kemi aplikuar për njohjen e certifikatës së vaksinimit në BE”, kishte deklaruar Vitia.

Kurse ministri aktual i Shëndetësisë, Rifat Latifi tha para komisionit parlamentar se ende nuk ka datë se kur do të bëhet njohja e certifikatës së vaksinimit në vendet e Bashkimit Evropian.

“Certifikata e vaksinimit është duke u punuar, inxhinierët janë duke punuar por ende nuk e dimë se kur do të bëhet, kur kam biseduar me ata që po punojnë në këtë, më kanë thënë edhe dy javë, por kjo ka qenë para dy javësh dhe s’mund të ju them se kur bëhet”, kishte thënë ministri Latifi gjatë kësaj jave.

Pas marrjes së dritës jeshile nga Këshilli Evropian më 16 dhjetor, Komisioni i Bashkimit Evropian ka njoftuar se ka miratuar rregulla të reja në lidhje me certifikatën e vaksinimit të BE-së, duke e bërë të njëjtën të vlefshme për një periudhë 270 ditore.

Të dhënat e zbuluara nga Komisioni tregojnë se deri më sot, 807 milionë certifikata digjitale të BE-së për COVID-19 janë lëshuar në BE, ndërsa mbi 60 vende dhe territore në pesë kontinente i janë bashkuar sistemit përmes të cilit kontrollohen dhe verifikohen këto certifikata.

Në këtë listë të vendeve, nga Ballkani Perëndimor, mungojnë vetëm Kosova dhe Bosnja.

Maqedonia e Veriut ishte partneri i parë nga Ballkani Perëndimor që u lidh me Certifikatën Digjitale të COVID-19 të BE. Më 15 shtator, Shqipëria gjithashtu u lidh dhe pastaj Serbia më 16 nëntor. Mali i Zi u lidh me këtë certifikatë digjitale me 22 dhjetor 2021.

Sipas Komisionit, me periudhën e re të vlefshmërisë së certifikatave të vaksinimit, në certifikata do të regjistrohen dozat përforcuese.

Dozat përforcuese të serisë së vaksinimit me dy doza do të regjistrohen si “3/3”, ndërsa dozat përforcuese të vaksinave me një dozë do të rikuperohen si “2/1″.

Në të njëjtën kohë, ata që janë shëruar nga COVID-19 dhe kanë marrë dozën e parë të një vaksine me dy doza, do ta kenë të regjistruar si “2/1” në certifikatat e tyre.

Certifikatat nuk do të kenë një datë vlefshmërie, por aplikacionet celulare të përdorura për të verifikuar certifikatat digjitale të COVID të BE-së do të rregullohen për të kontrolluar dhe verifikuar nëse kanë kaluar 270 ditë nga data e fundit e vaksinimit apo jo.

Për të lehtësuar lëvizjen e lirë të sigurt gjatë pandemisë COVID-19, Parlamenti Evropian dhe Këshilli miratuan, më 14 qershor 2021, Rregulloren për certifikatën digjitale të BE -së për COVID-19.

Shtetet anëtare duhet të ndërmarrin menjëherë të gjitha hapat e nevojshëm për të siguruar qasjen në vaksinim për ato grupe të popullsisë, certifikatat e vaksinimit të lëshuara më parë i afrohen kufirit të periudhës standarde të pranimit. Deri më tani, asnjë periudhë standarde pranimi nuk do të zbatohet për certifikatat e lëshuara pas administrimit të dozave përforcuese, duke qenë se nuk ka ende të dhëna të mjaftueshme në lidhje me periudhën e mbrojtjes nga COVID-19 pas marrjes së kësaj doze përforcuese.

Periudha e pranimit nuk do të kodohet në vetë certifikatën. Në vend të kësaj, aplikacionet celulare të përdorura për të verifikuar certifikatat digjitale të BE-së për COVID do të rregullohen: Nëse data e vaksinimit është më e gjatë se 270 ditë më parë, aplikacioni celular i përdorur për verifikim do të tregojë certifikatën si të skaduar.

Për të lejuar kohë të mjaftueshme për zbatimin teknik të periudhës së pranimit dhe për fushatat përforcuese të vaksinimit të shteteve anëtare, këto rregulla të reja duhet të zbatohen nga 1 shkurti 2022.