Kosnett takon edhe Osmanin, bisedojnë për formimin e institucioneve të reja

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, ka zhvilluar një takim me ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani.

Sipas u.d presidentes, në këtë takim ata kanë diskutuar për krijimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të së dielës.

“Me ambasadorin e SHBA-ve diskutuam për rezultatin e zgjedhjeve. Theksova që njerëzit e Kosovës kanë votuar qartë për ndryshim. Ne ramë dakord se konstituimi i institucioneve të reja duhet të jetë prioritet për të siguruar stabilitet dhe angazhim të palëkundur për rimëkëmbje pas COVID-19”, ka shkruar Osmani në twitter.

Sot ambasadori Kosnett, ka takuar edhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti me të cilin sipas njoftimit të kësaj partie, kanë diskutuar për rezultatet e zgjedhjeve si dhe krijimin e institucioneve të reja.

Lista e Vjosa Osmanit në zgjedhjet e së dielës ka qenë në një listë të përbashkët me atë të LV-së, parti e cila, bazuar në votat preliminare, u radhit e para me 47,85 për qind të votave.