Koreja Veriore “hedh në erë” zyrën ndërlidhëse me jugkoreanët

Koreja Veriore ka shkatërruar një zyrë ndërlidhëse në qytetin kufitar, Kaesong të martën, ka njoftuar Koreja Jugore, pasi Phenjani ka kërcënuar me marrjen e veprimeve, nëse grupet dezertuese çojnë përpara fushatën e tyre për të dërguar pamflete me materiale propagandistike në territorin verikorean.

Media jugkoreane ka raportuar se një shpërthim është dëgjuar dhe se tymi është parë mbi Kaesong, derisa Ministria për Bashkim e Jugut ka thënë se zyra ndërlidhëse është shkatërruar.

Një burim i ushtrisë jugkoreane, i ka thënë agjencisë së lajmeve, Reuters, se ka pasur shenja të shkatërrimit të objektit më herët gjatë ditës andaj zyrtarë të ushtrisë jugkoreane kanë vëzhguar në kohë reale shkatërrimin e saj.

Tensionet janë rritur teksa Phenjani ka kërcënuar me bllokim të komunikimit mes dy Koreve dhe marrjen e masave hakmarrëse rreth pamfleteve, në të cilat ka mesazhe kritike për liderin verikorean, Kim Jong Un, përfshirë akuzat për abuzim me të drejta të njeriut.

Zyra ndërlidhëse në mes të të dyja Koreve është krijuar më 2018, në kuadër të një serie projektesh, me synim të zvogëlimit të tensioneve në mes të të dyja territoreve.

Kur është hapur, dhjetëra zyrtarë nga të dyja palët kanë mundur të punojnë në ndërtesë, ndonëse së fundmi ajo është mbyllur për shkak të shqetësimeve për koronavirus.

Më herët gjatë ditës së martë, media shtetërore verikoreane, ka cituar ushtrinë të ketë thënë se ka qenë duke studiuar “një plan veprimi” për zonat që janë demilitarizuar sipas një pakti të nënshkruar më 2018, dhe për të kthyer “vijën e frontit në fortesë”.

“Ushtria jonë do të zbatojë shpejt secilin vendim të partisë dhe qeverisë” është cituar të ketë thënë Ushtria Popullore Koreane, përmes një deklarate të publikuar nga agjencia e lajmeve, KCNA.

Ministria e Mbrojtjes së Koresë Jugore, i ka bërë thirrje Phenjanit që të zbatojë marrëveshjen e vitit 2018, në të cilën të dyja ushtritë ishin zotuar për të ndaluar “veprimet armiqësore” dhe për të çarmatosur një numër strukturash në Zonën e Demilitarizuar.

“Po e analizojmë këtë situatë seriozisht”, ka thënë zëdhënësja e kësaj ministrie, Choi Hyun-soo.

“Ushtria jonë është gati për t’u përgjigjur ndaj secilës situatë”.

Disa grupe të udhëhequra nga dezertuesit kanë dërguar vazhdimisht në Korenë Veriore pamfleta, ushqim, radio dhe të dhëna për lajmet dhe dramat e Koresë Jugore, përmes nisjes së shisheve në lum apo tullumbacave në kufirin korean.

Koreja Jugore planifikon të ndërmarrë hapa ligjorë kundër këtyre grupeve, duke thënë se këto veprime tensionojnë marrëdhëniet dhe rrezikojnë banorët që jetojnë afër kufirit.

Megjithatë, këto grupe kanë thënë se synojnë të çojnë përpara fushatën e tyre të planifikuar këtë javë.

Presidenti jugkorean, Moon Jae-in i ka bërë thirrje Phenjanit që të zbatojë marrëveshjet e arritura nga të dy liderët dhe t’i kthehet dialogut.

Koreja Veriore dhe ajo Jugore janë teknikisht ende në luftë, pasi nuk kanë arritur marrëveshje për paqe, kur ka përfunduar Lufta Koreane më 1953. /REL