Seanca gjyqësore ndaj Nijazi Kryeziut (30.09.2022), Foto: KALLXO.com

Kontrata pa tender me televizione, Gjykata veçon disa prova ne rastin e ish-drejtorit të Administratës në Prizren

Një vit pas vendimit lirues për të, ish-drejtori i Administratës së Komunës së Prizrenit, Nijazi Kryeziu, është ulur sërish në bankën e të akuzuarve për t’u përballur me akuzën e Prokurorisë.

Kryeziu po gjykohet se ka lidhur kontrata pa tender me televizionet lokale në kohën sa punonte në Komunën e Prizrenit.

Gjatë së premtes, gjykata ka marrë vendim që ta veçojë nga shkresat e lëndës raportin e ekspertizës të bërë nga ana e ekspertit, Agim Shaqiri.

Po ashtu, trupi gjykues veçoi edhe raportin plotësues duke e shpallë si provë të papranueshme. Nga shkresat e lëndës u veçua edhe deklarata e dhënë nga Agim Shaqiri, me arsyetim se burimin e kishin në dy ekspertiza të mëhershme.

Lidhur me këto, prokurori i çështjes Mehdi Sefa kërkoi vendim të posaçëm nga gjykata.

Paraprakisht kësaj seance i parapriu një debat dhe kundërshtime të njëpasnjëshme mes Kujtim Kërveshit, avokat i të akuzuarit dhe prokurorit Mehdi Sefa.

Përfaqësuesi i prokurorisë, Mehdi Sefa, ka propozuar që të dëgjohet eksperti financiar dhe të administrohet si provë ekspertiza e vitit 2017.

Prokurori Sefa sqaroi se kjo ekspertizë ishte siguruar në bazë të hetimeve të bëra nga prokuroria ku në këtë çështje kishte qenë edhe Ilir Baldedaj dhe drejtorët e tjerë të komunës.

Në anën tjetër konsideroi se prokuroria në mënyrë të kundërligjshme po synon të sjellë një provë në këtë gjykim.

“Prokuroria e shtetit në mënyrë të kundërligjshme për të mos thënë në mënyrë klandestine e kontrabandon një provë të një gjykimi tjetër për të cilën jam deklaruar në seancën e shqyrtimit të dytë ku kam kundërshtuar dëgjimin e këtij eksperti” – tha avokati Kërveshi.

Kundërshtimet vazhduan edhe më tej kur në seancë nga Prokuroria u soll një kopje e një raporti të ekspertit Shaqiri.

Avokati Kujtim Kërveshi konsideroi se trupit gjykues iu dorëzua një provë që nuk përkonte me ngjarjen.

“Ia lë gjykatës që ta vlerësojë rregullsinë e këtyre provave nëse mund të administrohen, ju bëjë me dije se dokumenti përmban titullin biografia e që është ekspertizë pastaj vazhdon me plotësimin të ekspertizës pos një nënshkrimi nuk mbanë asnjë element vërtetësie” – tha mes tjerash avokati Kërveshi.

Ndërkaq, pas veçimit të shkresave, Gjykata e Apelit pritet të vendosë ditëve në vijim.

Nijazi Kryeziu akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar kur ishte drejtor i Urbanizmit në Prizren nën udhëheqjen e ish-kryetarit Ramadan Muja.

Prokuroria Kryeziun e ka akuzuar se pa hapur ndonjë procedurë tenderuese ka lidhur kontratë me “TV Opinion” për emetimin e spoteve reklamuese për sensibilizimin e opinionit publik për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje për nevojat e Drejtorisë së Urbanizmit me të cilën ka udhëhequr.

Dëmi i shkaktuar me lidhjen e kësaj kontrate cilësohet të jetë në total prej 7 mijë e 200 euro, për periudhën 1 janar deri më 31 dhjetor të vitit 2015, në vlerë prej 600 euro në muaj.

Për të gjitha këto akuza, Kryeziu ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Prizrenit në shtatorin e vitit 2021, por Gjykata e Apelit çështjen e ka kthyer në rigjykim.

“Konkludimi i gjykatës së shkallës së parë se i akuzuari nuk ka kryer vepër penale nuk mund të provohet si i drejtë i ligjshëm, kështu që aktgjykimi i ankimuar të anulohet dhe çështja t’i kthehet gjykatës së shkallës së parë për rivendosje” – thuhet në vendimin e Apelit.

Apeli mes tjerash ka gjetur se arsyetimi përveç që është bazuar në prova të papranueshme, gjykata e shkallës së parë provën për të cilën ka vendosur të shpallë të papranueshme e ka refuzuar të nxjerr provë tjetër.

“Edhe pse ekspertizën financiare e ka shpallur provë të papranueshme, gjykata nuk vendosi që të procedojë me provën përmes ekspertizës tjetër, por, përkundrazi e refuzon propozimin e prokurorit ndërsa në arsyetim nuk thuhet asgjë lidhur me këtë refuzim” – thuhet në vendim.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i gjeni në këtë LINK.