Konsulli i shkarkuar thotë se nuk e pranon vendimin e Vjosa Osmanit

Lindon Kqira, konsulli i Kosovës në Shkup, është shprehur se nuk e njeh vendimin “arbitrar dhe politik” të u.d presidentes Vjosa Osmani për shkarkimin e tij nga kjo pozitë.

Kqira në një komunikatë për media e ka quajtur këtë vendim tendencioz, arbitrar, vendim politik dhe përçarës e mbi të gjitha është antikushtetues dhe i pa precedent në diplomacinë e Kosovës.

“Me vetëdije dhe përgjegjësi të plotë, deklaroj se nuk njoh dhe as nuk e perfilli vendimin për shkarkimin tim, nga pozita e Konsullit-Ministrit Këshilltar, në Ambasadën e Republikës së Kosovës, në Shkup, nga zonja Vjosa Osmani, kryetare e Kuvendit të Kosovës dhe u.d. Presidentit të Republikës së Kosovës.Ky vendim në rradhë të parë është tendencioz, arbitrar, vendim politik dhe përçarës, e mbi të gjitha është antikushtetues dhe i pa presedan në diplomacinë e Kosovës. Zonja Osmani do duhej të merrej me punën e Kuvendit të Kosovës, i cili që nga ardhja e saj në krye të këtij kuvendi, në mënyrë aksidentale, ështe e vlerësuar si legjislatura më e dështuar e Kosovës nga themelimi i Kuvendit të Kosovës e deri më sot”, ka shkruar ai.

Sipas tij, vendimi për shkarkimin e tij është në kundërshtim me nenin 84 të Kushtetutes, pasi sipas tij, Osmani këtë vendim e ka marrë pa konsultim paraprak me MPJD dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Ai ka paralajmëruar ndjekjen e rrugës ligjore, duke shtuar se do të vazhdoj normalisht punën dhe angazhimet në ambasadën e Kosovës në Shkup

“Neglizhenca e situatës me pandeminë globale, kriza ekonomike, aprovimi i Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike dhe një varg ligjesh tjera jetike për qytetarët e Kosovës do duhej të ishin në agjendën e saj dhe jo shkarkimet arbitrare, antikushtetuese me qëllim të destabilizimit politik dhe futjes së hutisë në shërbimin diplomatik të Kosovës, në Shkup dhe kudo, për qëllime hakmarreje dhe të profiterizmit politik. Vendimi i Ushtrueses së Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës për shkarkimin tim, për mendimin tim është nxjerrë në kundërshtim me nenin 84 të Kushtëtutes së Republikës së Kosovës, ngase znj, Osmani këtë vendim e ka marrë pa konsultim paraprak me MPJD dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës. Në këto rrethana, kushdo që bënë përpjekje me zbatue këtë vendim të njëanshëm, përfshihet në shkelje Kushtetuese. Veprimet e mia karshi këtij vendimi, do të jenë në përputhje me dispozitat ligjore dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe paralajmroj se kundër këtijë vendimi arbitrar të kryekuvendares, Osmani, do ta ndjekim rrugën ligjore, ndërsa unë do të vazhdoj normalisht punën dhe angazhimet ditore në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Shkup”, ka shkruar Kqira.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, ka shfuqizuar të mërkurën katër dekrete për konsuj të përgjithshëm në Pragë, Lubjanë, Shkup dhe Tiranë.

Ky vendim ka ardhur pasi që djali i deputetit Haxhi Shala, Flakron Shala, është emëruar si konsull i përgjithshëm në Pragë/ Çeki,  pas rekomandimit të ministres së AAK-së në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj- Stublla.

Të saposhkarkuarit janë Flakron Shala – Pragë, Blendi Kilaj – Lubjanë, Lindon Kqira – Shkup dhe Halim Krasniqi – Tiranë.