Konjufca takon ambasadorin Markusz: Hungaria, përkrahëse e pa rezervë e Kosovës

Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim ambasadorin e Hungarisë në Kosovë Laszlo Markusz, me të cilin diskutoi për zhvillimet aktuale në Kosovë, bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve dhe parlamenteve respektive.

Sipas një njoftimi të Kuvendit, Konjufca vlerësoi lart mbështetjen e deritashme të Hungarisë për Kosovën në shumë fusha, si implementuese e projekteve të Bashkimit Evropian, përfshirë Projektin e BE-së të Binjakëzimit 2016 -2018.

Konjufca theksoi se përvoja e çmuar e raporteve të Kuvendit të Kosovës me Parlamentin e Hungarisë, paraqet modelin e duhur që Kuvendi ynë po e ndërton me shumë parlamente të tjera në botë.

“Duke vënë në pah prioritetet e vendit, kryeparlamentari Konjufca tha se mirëpret thellimin e bashkëpunimit në të gjitha nivelet me Hungarinë, si përkrahëse e pa rezervë e prosperitetit në Kosovë, zhvillimit ekonomik dhe të ardhmes së saj euro-atlantike”, thuhet në komunikatë.

Në anën tjetër, Ambasadori i Hungarisë, Laszlo Markusz, pasi uroi kryetarin Konjufca për zgjedhjen e tij në krye të Kuvendit të Kosovës, shprehu gatishmërinë e vendit të tij për forcimin e bashkëpunimit të gjithanshëm midis dy shteteve.

“Ai siguroi kryetarin e Kuvendit se shteti i tij do të jetë mbështetës i vazhdueshëm i Kosovës për anëtarësimin e saj në institucionet ndërkombëtare, proceset e saj integruese, si dhe zhvillimin ekonomik.”, njofton Kuvendi i Kosovës.