Konjufca: Padia për gjenocid kundër Serbisë në Kosovë është afër

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se Kosova është afër përfundimit të padisë ndaj Serbisë për gjenocid në Kosovë për periudhën e luftës së fundit.

Konjufca ka thënë se për këtë çështje janë konsultuar edhe personat më të rëndësishëm profesionalë që kanë njohuri në këtë fushë për ndërtimin e një padie profesionale.

“Prej ditës kur është bërë ndryshimi i madh dhe ka ardhë një qeverisje e re, është punuar pandërprerë, çdo ditë, edhe sot dhe mund të konstatoj që kjo është shumë afër. Nuk mund të jap muaj apo kohë të caktuar veçse e di që është bërë një punë e madhe deri tash, janë konsultuar edhe personat më të rëndësishëm profesionalë, që kanë njohuri në këtë fushë për ndërtimin e një padie profesionale kundër gjenocidit të Serbisë ndaj popullit të Kosovës dhe mendoj që është bërë një punë e mirë deri tash, është afër por për të gjitha hollësitë ia shtroni pyetjen Qeverisë“- ka thënë ai pas mbledhjes së Kryesisë.

Për padinë ndaj Serbisë për krime lufte në Kosovë ka folur edhe shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

Tahiri ka thënë se nuk kanë njohuri për punën që është kryer në drejtim të kësaj çështjeje.

“Sikur shumë procese tjera jotransparente as për këtë nuk e dimë asgjë sepse nuk kemi qenë të involvuar dhe nuk e dimë as kjo shumë afër çka nënkupton, ku janë afër, çka është përgatitur, kush janë ato ekipe që kanë punuar dhe thjesht nëse janë shumë afër mund të them se është një lajm i mirë“ – tha ai.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot gjatë përkujtimit të 24-vjetorit të masakrës në Burgun e Dubravës, tha se qëllimi i Serbisë ishte jo vetëm eliminimi politik i të burgosurve shqiptarë, por edhe zhdukja e tyre fizike.

Kryeministri Kurti shtoi se Republika e Kosovës nuk harron dhe nuk fal asnjë krim të luftës.

Kurti gjatë prezantimit të plan-programit qeverisës, pati njoftuar edhe për fillimin e punës në padinë ndaj Serbisë për gjenocid në Kosovë për periudhën e luftës së fundit, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Padia për gjenocid ndaj Serbisë ishte përmendur si iniciativë nga ish-presidenti Hashim Thaçi.

Mirëpo, edhe pse ishte paralajmëruar vazhdimisht, një gjë e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë.