Konjufca ngushëllon kryekuvendarin e Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i ka dërguar një telegram kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, nëpërmjet të cilit i ka shprehur ngushëllime për jetët e humbura në aksidentin tragjik në Bullgari.

Konjufca ka theksuar se janë  pranë autoriteteve maqedonase, familjeve dhe popullit në këto çaste të rënda për të gjithë.

“Në këto momente tejet të rënda për popullin e Maqedonisë Veriore dhe për familjet që humbën më të dashurit e tyre në aksidentin e trafikut që ndodhi këtë mëngjes në Bullgari, jemi pranë për të shprehur solidaritetin vëllazëror dhe për të ndarë dhimbjen me ju. Në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, shpreh ngushëllimet më të ndjera për familjet e pasagjerëve që humbën jetën në këtë tragjedi tronditëse dhe lutemi për shërim të shpejtë të të lënduarve”, thuhet në telegramin e tij.

Së paku 46 persona mbetën të vdekur nga aksidenti tragjik që ndodhi mëngjesin e së martës në Bullgari, në një autobus që po bartte udhëtarë nga Turqia për në Maqedoni të Veriut.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë vendim që e mërkura të jetë ditë zie në Kosovë.