Konfiskohet birrë, raki e mish derri në afërsi të pikës kufitare me Serbinë

Policia e Kosovës ka konfiskuar një sasi të konsiderueshme të mallrave të kontrabanduara përgjatë kufirit me Serbinë, afër pikës kufitare në Muçivërcë saktësisht në rrugët malore të fshatit Korminjan.

Forcat e rendit kishin gjetur një traktor pa targa regjistrimi dhe një rimorkio të braktisur që dyshohej se ishin me mallra të kontrabanduara.

Pas tërheqjes së traktorit me rimorkio, në orët e mbrëmjes është paraqitur S.J, pronari i tyre, i cili ka deklaruar për Policinë e Kosovës së mallrat ishin sjellë në Kosovë nga Serbia përmes rrugëve malore.

Policia ka konfiskuar 158 arka me nga 20 shishe birra të llojeve të ndryshme; 3 paketa me nga gjashtë shishe raki si dhe 282 kilogramë mish derri, mish të konservuar si dhe 12 kafaze me pula apo gjithsej 156 pula.

Po ashtu janë konfiskuar edhe 10 pako me nga 50 copa korniza për vendosjen e targave të automjeteve.

Me urdhër të prokurorit është iniciuar rasti për “Kontrabandim me Mallra”.