‘Komuniteti serb më i prekuri nga dezinformatat’

Në panelin ku po diskutohet për raportin e dezinforimit, “Vorbulla e Rrenave”, i publikuar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN, Pajtim Gashi nga ‘NDI Kosovo’, ka thënë se ndarja etnike në ambientin medial është një nga kontributdhënësit kryesor të thellimit të gjuhës së urrejtjes.

“Ndarja e ambientit medial në gjuhën shqipe dhe atë serbe po ndikon që njerëzit t`i marrin informacionet sipas përkatësisë etnike e që shpeshherë e kemi parë që mungon edhe perspektiva tjetër apo pala tjetër” – tha Gashi.

Gashi ka shtuar se komuniteti më i cenueshëm karshi dezinformatave po vazhdon të jetë ai serb në Kosovë.

Sipas tij kjo po bëhet se media të ndryshme vazhdojnë të prodhojnë dezinformata në gjuhën serbe, të cilat thotë ai, po shpërndahen në krejt Ballkanin.

“Kur kemi dashtë me tentu me kuptu se çka këto media janë duke shtyrë përpara, është pikërisht mbajtja gjallë e konfliktit dhe thellimi i mëtejmë i ndarjes etnike, të paktën për Kosovë është ndër targetet kryesore. Sidomos kur ka ndonjë krizë në Kosovë këto narracione vetëm sa shkojnë e rriten. Kur kemi dalë në terren e kemi parë se 18-30% e njerëzve i kanë besuar këtyre narracioneve dhe për ne ka qenë shqetësuese” – ka shtuar tutje Gashi.

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese, BIRN ka prezantuar sot Raportin e Deziformimit, i cili përshkruan jo vetëm dezinformatat, por edhe narrativet e tij.

I financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Raporti i Dezinformimit ka ‘hartuar’ dezinformimin në Kosovë duke ofruar njohuri për dinamikën e dezinformimit dhe pasojat që ai ka tek qytetarët e Kosovës në fusha të ndryshme.