Komuna e Prizrenit planifikon ndërtimin e disa shtëpive për familjet skamnore

Drejtoria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Prizrenit ka hapur thirrjen për qytetarë që të përfitojnë nga projekti për ndërtimin e shtëpive, meremetimin e shtëpive dhe banesave, si dhe për furnizim me material ndërtimor.

Sipas Komunës së Prizrenit, nga ky projekt do të mbështeten familjet skamnore pa strehim dhe ato me shtëpi të dëmtuara nga vjetërsia.

Komuna ka kërkuar që qytetarët e interesuar të aplikojnë, që pyetësorin e plotësuar dhe dokumentet (dëshmitë) për vërtetimin e gjendjes së banimit të dorëzohen në sportelet e administratës komunale, nga sot 6 janar 2020 deri më 29 shkurt 2020.

Në njoftimin e saj, Komuna e Prizrenit nuk ka treguar për shumën  e buxhetit të ndarë për këtë kategori të familjeve në nevojë.