Komuna e Prizrenit - Foto: KALLXO.com

Komuna e Prizrenit me fushatë për pastrim të qytetit

Për shkak të problemit të vazhduar dhe bllokimit të procesit për kontraktim të kompanive për pastrim të qytetit, Drejtoria e Shërbimeve Publike ka njoftuar se nga nesër do të fillojë me aksionin dhe fushatën vetëdijesuese për pastrimin e komunës së Prizrenit.

Sipas njoftimit të Komunës, në kuadër të këtij aksioni, për 3 ditë rresht do të bëhet largimi i pikave ilegale, pastrimi, fshirja dhe kositja në 20 lokacione të ndryshme, përfshirë lagjet e ndryshme dhe zonat periferike të qytetit.

Lidhur me këtë iniciativë, Drejtoria e Shërbimeve Publike sot organizoi një takim koordinues me përfaqësuesit e kompanive vullnetare dhe OJQ-ve të ndryshme, të cilët shprehën vullnetin për t’iu bashkangjitur kësaj fushate.

Komuna i ka ftuar të gjithë qytetarët

Ftohen të gjithë qytetarët që në mënyrë vullnetare t’i bashkangjiten kësaj fushate dhe të japin kontributin e tyre për pastrimin e hapësirave para shtëpive të tyre.

Aksioni do të fillojë nesër nga ora 11:00 nga objekti i Administratës Komunale në Prizren.