Ilustrim

Komuna e Prishtinës: Nga kompania 'Pastrimi' është kërkuar rritja e çmimit për grumbullimin e mbeturinave

Fatura e mbeturinave të qytetarëve në komunat që janë nën menaxhim të kompanisë rajonale ‘Pastrimi’ është kërkuar të rritet.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu, ka thënë për KALLXO.com tha se kjo pritet të ndodh për shkak se Kompania për Menaxhimin e Deponive të Kosovës. Si pasojë e kësaj, Musliu ka thënë se kompania ‘Pastrimi’ po kërkon që çmimi për grumbullimin e mbeturinave të rritet.

“Kemi rritje të çmimit nga niveli qendror, pra deponia ka rrit çmimin karshi ndërmarrjes ‘Pastrimi’ dhe tani ndërmarrja kërkon që edhe çmimi në kontratën e ‘Pastrimit’ të rritet, e që nënkupton të ketë rritje edhe të faturës së qytetarëve”- ka thënë Musliu.

Ai shtoi se nuk ka ende të dhëna sa pritet të jetë fatura pasi ende nuk është vendosur kjo gjë.

“Nuk e di sa pritet te rritet çmimi për arsye se ende nuk është vendosur a do të ketë rritje apo jo”- shtoi Musliu.

KALLXO.com ka kontaktuar me kompaninë “Pastrimi” për t’i pyetur në lidhje me kërkesën për rritje të çmimit për grumbullimin e mbeturinave por deri në publikimin e këtij artikulli të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Aktualisht fatura mujore e mbeturinave është 4.70 euro.

Kompania ‘Pastrimi’ gjatë vitit të kaluar është përballur disa herë me pengesa në zbrazje të mbeturinave në deponinë e Mirashit në Obiliq pasi KMDK nuk i lejoi qarkullim si shkak i borgjeve që ‘Pastrimi’ i ka kësaj kompanie.

Veprimtaria e kësaj kompanie përfshinë  Regjionin e Prishtinës që përfshinë komunat: Prishtinë, Fushë Kosovë, Obiliq, Lipjan, Podujevë, Drenas dhe Graçanicë.