Komuna e Mitrovicës - 170 mijë euro kundër COVID-19

Komuna e Mitrovicës së Jugut ka ndarë 170 mijë euro për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19.

Kjo u bë e ditur gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Mitrovicës që u mbajt sot në këtë qytet.

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, ka bërë të ditur se situata e krijuar kërkon unitet si kurrë më parë, pavarësisht bindjeve politike dhe dallimeve tjera.

Sipas tij, komuna ka marr të gjitha hapat e nevojshme dhe është duke u angazhuar maksimalisht, duke kyçur të gjithë faktorët relevantë, për ta tejkaluar sa më suksesshëm këtë gjendje të vështirë.

Ai ka kërkuar nga qytetarët që të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre, duke sqaruar se kjo është e vetmja mundësi për tejkalimin e situatës.

“Sot ju kam ftuar që të jemi së bashku, me ç’rast na bashkon vetëm një gjë që kërkon domosdoshmërinë të jemi bashkë, pavarësisht partive politike, njerëzve, mendimeve të ndryshme. Sot duhet të jemi të gjithë bashkë, në mënyrë që të përballojmë këtë situatë tepër të rëndë, dhe me të cilën po luftojmë, e që e ka kapluar jo vetëm Kosovën, por krejt botën… Qeveria e Kosovës ka marr hapat e duhura, por edhe ne si Komunë e kemi bërë këshillin emergjent, ku janë të kyçur të gjithë faktorët, spitali, QKMF-ja, policia dhe të gjithë të tjerët me të cilët rregullisht i mbajmë takimet dhe marrim vendime, në mënyrë që të bëjmë më të mirën për këtë vend. Kërkesa ime, por edhe e gjithë juve duhet të jetë, që i vetmi shërim dhe e vetmja mundësi për të përballuar këtë situatë, është që qytetarët të rrinë nëpër shtëpitë e tyre”, ka thënë Bahtiri.

Bahtiri potencoi se komuna ka përpiluar një listë prej 18 artikujve elementarë, për të cilat tha se do të arrinë në sasi të mjaftueshme shumë shpejt në Mitrovicë.

Ndërsa Shukri Gashi, drejtor i Drejtorisë së Financave në Mitrovicë, duke sqaruar Ligjin për vetëqeverisjen lokale, tha se lejohet që deri në pesë për qind të projekteve të bëhet transfer i mjeteve nga një kategori në një kategori tjetër ekonomike, me aprovim të Kuvendit Komunal, dhe pa u përfshirë ministritë apo ndonjë palë tjetër.

Ai ka përmendur nevojën për blerjen e mjeteve mbrojtëse për punëtorët shëndetësorë, dhe çdo gjë tjetër që është e nevojshme, në funksion të parandalimit, mbrojtjes dhe shërimit kundër virusit COVID-19.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e grupeve të ndryshme parlamentare, lavdëruan angazhimin e komunës në këtë situatë, duke u shprehur unikë në betejën kundër pandemisë.

Donjet Bislimi, shef i grupit parlamentar të PDK-së, tha se s’kanë dallime partiake, sepse në këtë betejë kundër koronavirusit janë të gjithë një.

“E shoh një mobilizim të hatashëm prej të gjitha instancave për çka po dua me ju falënderu edhe juve si komunë për punën që jeni duke bërë. Duhet me ditë që s’kemi dallime partiake, sepse në luftën kundër këtij virusi jemi një”, u shpreh Bislimi.

Ndryshe, kjo mbledhje u mbajt në qendrën e kulturës ‘Rexhep Mitrovica’ për të përfillur rekomandimet nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, për mbajtjen e distancës.