KOK; Foto në Facebook

Komiteti Olimpik kërkon të merren masa për incidentin e djeshëm në Prizren

Komiteti Olimpik i Kosovës ka kërkuar nga organet përgjegjëse të veprojnë konform rregulloreve dhe ka inkurajuar Këshillin Kombëtar për Parandalimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Sport, të marrë masat e duhura ndaj atyre që shkaktuan incidentin e djeshëm mes basketbollistëve të Ponte Prizreni dhe KB Peja.

“KOK dënon ashpër dhunën e shfaqur, e cila më së paku i është dashur basketbollit dhe sportit në përgjithësi.Për KOK-un, ajo që ndodhi mbrëmë në Prizren dhe javë më parë në ndeshje të futbollit, është e papranueshme dhe e patolerueshme” ka reaguar Komiteti në Facebook.

Dje ndeshja mes Ponte Prizrenit dhe KB Pejës u ndërpre pas përfundimit të pjesës së parë, për shkak se basketbollistët e të dy skuadrave u përfshinë në përleshje.

Ponte Prizreni ka akuzuar basketbollistin e Pejës, Dardan Berishën si provokuesin e kësaj situate. Ponte po ashtu ka thënë se kjo përleshje erdhi për shkak të neglizhencës së komesarit të garave, Faton Kurshumliut.